Ndërlidhjet

Tentime për përmirësim të cilësisë së ambientit


Pamje nga Obiliqi
Pamje nga Obiliqi
Industria e rëndë në Kosovë vazhdon të mbetet ndotësi më i madh i ambientit. ‘’Ferronikeli”, “Trepça”, “Sharrcemi”, “Llamkosi”, “Fabrika e Tubave”, industria e gomës “Ballkani”, janë vetëm disa kompani të cilat hynë në kategorinë e industrisë së rëndë në Kosovë.

Gazmend Zhurri, pulmolog ka bërë të ditur se ambienti i ndotur në Kosovë ka bërë që të rritet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë si pasojë e sëmundjeve respiratore dhe atyre me sëmundje malinje. Por, zoti Zhurri thotë se edhe faktorë të tjerë ndikojnë në këtë çështje.

"Kosova e pasluftës nuk e ka ambientin e shëndetshëm për jetë, qoftë ajrin, ujin apo dheun. Për shkak të ndotjes së vazhdueshme nga ndotësit që na rrethojnë. Termocentralet lirojnë me tonelata pluhur në ajër dhe shkaktojnë ndotje".

"Sipas të dhënave që kemi dhe studimeve, kemi pacientë me sëmundje respiratore, me bronkit kronik, me kancer bronkial, të cilat vijnë për shkak të ndotjes së ambientit. Por faktorët tjerë që ndërlidhen janë edhe duhanpirja , si dhe lirimi i gazrave nga automjetet"
, bën të ditur Zhurri për Radion Evropa e Lirë.

Sipas studimeve të bëra nga mekanizma të ndryshëm në Kosovë, është vlerësuar se në repartet e spitaleve të Kosovës, 21 për qind e pacientëve nga të gjitha sëmundjet malinje janë diagnostikuar dhe trajtuar nga kanceri në mushkëri.

Tri shkaqet kryesore për këtë situatë ishte vlerësuar të jenë faktorët e mjedisit të tilla si kushtet e jetesës, cilësia e dobët e ujit të pijshëm dhe ndotja e ajrit.

Nga një studim i bërë ku është krahasuar rajoni i Prishtinës me rajonin e Prizrenit, del se shumë më shumë raste të pacientëve me sëmundje malinje janë në Prishtinë.

"Ne kemi krahasuar numrin e pacientëve të spitalit të Prizrenit me atë të Prishtinës në një studim, dhe kemi ardhur në përfundim se sëmundjet malinje në spitalin e Prishtinës janë më të shpeshta për shkak të ajrit", sqaron zoti Zhurri.

Ndotja e ajrit në Kosovë llogaritet se shkakton 852 vdekje të parakohshme, 318 raste kronike, 605 shtrirje në spital dhe 11 mijë e 900 vizita emergjente, në çdo vit.

Këto janë të dhënat që dalin nga raport i Bankës Botërore, në një analizë të publikuar për mjedisin.

Drejtoresha e Qendrës Mjekësisë Familjare në Obiliq, Atifete Shulemaja, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vetëm në komunën e Obiliqit çdo muaj identifikohen nga rreth 3 raste të reja me kancer.

"Në komunën e Obiliqit për shkak të ndotjes së ajrit, gjatë vitit 2012 kemi pasur 54 raste të reja me sëmundje të sistemit kardiovaskular, pastaj 57 raste të reja të sëmundjeve të traktit respirator, sëmundje malinje 20 raste të reja. Gjithashtu edhe persona që vuajnë nga diabeti është rritur numri, ku janë paraqitur 89 raste të reja në vitin 2012. Ndotja e ajrit mendoj se po ndikon. Ne si QKMF ofrojmë ndihmë 24 orë, dhe kemi deri në 3 raste të reja me kancer në muaj", thotë ajo.

Ndërkaq, shoqëria civile në vazhdimësi ka kritikuar autoritetet e Kosovës për mbështetjen e vogël që është duke bërë për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

Sipas tyre, prioritetet e Qeverisë së Kosovës ndaj mjedisit janë ende të ulëta për shkak se problemet ekonomike dhe sociale në vend.

Por, Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, ka deklaruar se cilësia e ajrit është në përmirësim e sipër, për shkak se ka investime si në fabrika të industrisë, po ashtu edhe në sektorë të tjerë që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

"Jemi duke tentuar që ato mjete që janë në dispozicion në Qeverinë e Kosovës të përdoren sa më shpejtë në sanimin e gjendjes së kontaminuar nga veprimtaria minerare. Kurse KEK ut jemi duke i bërë trusni permanente të investojë edhe detajet e fundit në filtrim të shkarkimit të oxhaqeve".

"Jemi duke zhvilluar projekte për studim të fizibilitetit për menaxhim të mbeturinave në Kosovë që rezultatet do të na orientojnë në riciklim. Gjithashtu një punë e madhe është duke u bërë edhe në zonat e mbrojtura të natyrës", shprehet Morina.

Sidoqoftë, çështja e ndotjes së ajrit në Kosovë, ka kohë që është temë debatesh nga më të ndryshmet.
XS
SM
MD
LG