Ndërlidhjet

Maqedoni: Sa ka interesim qeveria në integrimin evropian?


Ilustrim
Ilustrim
Maqedonia jo vetëm që nuk tregon interesim për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe përmbushjen e kritereve tjera për anëtarësim në BE, por me veprimet e fundit ajo vetëm sa dëshmon se nuk është e interesuar për agjendën evropiane.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare duke komentuar vizitën e fundit të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban dhe dekorimin e tij me medaljen e artë të pavarësisë nga krerët e shtetit.

Dekorimi i një personalitet kundërthënës e të diskutueshëm, jo vetëm nga BE-ja, por edhe nga SHBA-të, për shkak të shumë masave represive të ndërmarra në vendin e tij, është mesazh i qartë se cilën rrugë po ndjek Maqedonia, thotë Bojan Mariçiq, aktivist dhe një nga drejtuesit e Qendrës maqedonase për edukim evropian.

Kjo mendoj se paraqet një dëm të madh për imazhin tonë edhe pse Maqedonia deri tani ka bërë mjaft që të prish imazhin e saj, në veçanti për sa i përket standardeve demokratike, si me ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar, kufizimin e lirisë së mediave, mënyrën e komunikimit me deputetët dhe tani me këtë të fundit, me ndarjen e mirënjohjes për kryeministrin më të diskutueshëm në Evropë, vetëm sa konfirmohet pozicioni jonë i jofavorshëm në raport me BE-në”.

“Mendoj se është edhe një hap i keq që dëshmon se cilin shtet të BE-së ne e llogarisim si të afërt. Kur ishte Ministri i Jashtëm e Gjermanisë, krerët e shtetit nuk kishin kohë ta takonin ndërsa kryeministrit Orban i ndajnë edhe mirënjohje. Kjo flet qartë për qëllimet tona dhe cilat shtete duam ti kemi aleate”, thotë Mariçiq.

Ai vlerëson se me një politikë të tillë Maqedonia vështirë se do të arrijë ndonjëherë integrimin euroatlantik, pasi, përveç çështjes së emrit, ajo duhet të përmbush edhe shumë kritere tjera të cilat kanë mbetur nën hijen e kontestit me Greqinë.

Edhe Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit euroatlantik thotë se me vizitën e fundit të kryeministri hungarez dhe dekorimin e tij me medaljen e pavarësisë, institucionet e vendit kanë dhënë mesazhin e qartë se Maqedonia nuk është e prirë të përmbush agjendën evropiane.

Madje Ramadani dyshon që kryeministri Gruevski të jetë inspiruar nga homologu i tij hungarez gjatë marrjes së disa veprimeve në raport me mediave dhe kontrollin e shtuar ndaj institucioneve.

Politika e tillë, thotë ai, nuk ka fare të bëjë me kriteret evropiane pa përmbushjen e të cilave vendi do të mbetet i izoluar.

“Duke e dekoruar një kryeministër si është Orban, po përcjellin porosi deri te shtetet e BE-së, se ata janë më shumë mirënjohës ndaj një lideri ose kryeministri i cili ka qëndrime të theksuara anti-evropiane. Udhëheqësit shtetëror, respektivisht kryeministri hynë në valle në të cilën nuk ka kapacitet për të luajtur në ato valle evropiane”, thekson Ismet Ramadani ish deputet dhe tani nënkryetar i Këshillit euroatlantik të Maqedonisë.

Sipas tij, kryeministri Gruevski duhet të tregojë publikisht se cila është alternative për qytetarët e Maqedonisë nëse vazhdon të kundërshtohet integrimi evropian.

“Nëse porosia nëpërmjet dekorimit të Orbanit është anti-evropiane, atëherë cila do të jetë porosia ndaj qytetarëve të Maqedonisë, shumica e të cilëve janë përcaktuar për integrimet euroatlantike? Këtu kemi një ndeshje të vullnetit të qytetarëve dhe politikës së kreut shtetëror”.

“Kjo situatë mund të zgjidhet vetëm nëse organizohen zgjedhje të parakohshme dhe të votohet për ndryshimin e qeverisë dhe të vijnë forcat progresive maqedonase të cilat janë sinqerisht janë të përqendruara për integrimet euroatlantike”, thotë Ramadani.

Ai shton se rol kryesor në këtë drejtim do të kishte subjekti politik shqiptar, e në veçanti BDI-ja në pushtet e cila prioritet kryesor të platformës politike ka integrimin.

Maqedonisë në Samitit e tetorit të KE-së iu konfirmua për të gjashtën herë me radhë statusi i shtetit kandidat, por nisja e negociatave për anëtarësim bllokohet nga Greqia për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit.
XS
SM
MD
LG