Ndërlidhjet

Konstituimi i komunave në veri, sfidë për institucionet


Mitrovicë...
Mitrovicë...
Përfaqësuesit e serbëve në komunat ku kanë fituar në zgjedhjet lokale të tre nëntorit, veç atyre në veriut të Kosovës, tashmë kanë kryer konstituimin e kuvendeve komunale.

Për moskonstituimin e këtyre komunave në veri dhe çështje të tjera, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Tahiri ka sqaruar se temë qendrore e bisedimeve me përfaqësuesit e BE-së do të jetë çështja e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për implementimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale sipas ligjeve të Kosovës.

“Ky takim bilateral do të ketë për qëllim që të konfirmohet qartësia e marrëveshjes së Brukselit se zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur me ligjet e Kosovës, dhe inaugurimi e funksionimi i të gjitha komunave në Kosovë, do të bëhet sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, inaugurimi i komunave në veri të Kosovës është shtyrë për shkak të parregullsive në proceset përgatitore për mbajtjen e seancave inauguruese.

Asamblisti i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Emir Azemi, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ende nuk e ka bërë betimin, tregon se si i është bërë ftesa për të marrë pjesë në takimin e së premtes.

“Edhe sot ende nuk ka ftesa zyrtare. Të hënën jam njoftuar nga shefja e zyrës (Zyra Administrative) Hoxhiq, pasi që dikush atë e kishte lutur nga kabineti i Pantiqit (Krstimir Pantiq) që të na njoftojë se seanca do të mbahet të premten. Ne pyetjen time se pse nuk janë ftesat, Hoxhiq u përgjigj se për shkaqe teknike. Por, siç po shihet, nuka ka qenë fjala për shkaqe teknike”, ka thënë Azemi, duke shtuar se herën e parë kur është tentuar të bëhet inaugurimi, ftesat nuk kanë pasur simbolet e shtetit të Kosovës.

Nga ana tjetër, këtë proces për konstituimin e komunës së veriut të Mitrovicës, është duke e ndihmuar edhe Zyra Administrative, që është themeluar nga Qeveria e Kosovës.

Adriana Hoxhiq
Adriana Hoxhiq
Shefja e kësaj zyre, Adriana Hoxhiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se misioni i zyrës është që t’i ndihmojë banorët e veriut.

“Nga ne është kërkuar vetëm një ndihmesë që t’ua shpërndajmë ftesat. Në fakt, këtë herë janë vetëm njoftime për anëtarët e Asamblesë, të cilët nuk janë serbë dhe t’ua mundësojmë komunikimin ndërmjet kryetarit të komunës dhe këtyre asamblistëve”, ka shpjeguar Hoxhiq.

Kurse, analisti Leon Malazogu, nga Instituti Demokraci për Zhvillim, konsideron se institucionet e Kosovës, me çështjen e komunave të veriut dhe konstituimit të tyre, do të sfidohen.

Ai, madje, parashikon që dialogu Prishtinë - Beograd to të shndërrohet në dialog Prishtinë – Mitrovicë.

“Tani efektivisht, çfarë do të ndodhë është se do të sfidohet (ajo) çka është marrë vesh në nivelin parimor dhe do të diskutohet më shumë për detaje. Duken detaje, por janë thelb i marrëveshjes që është aplikueshmëria e ligjeve, e që për fakt të keq, pikërisht edhe këto do të bëhen pjesë e dialogut në Bruksel. Tani nuk do të jetë vetëm palë Beogradi, por gjithmonë e më tepër mund të jenë pjesë edhe institucionet e veriut. Dhe ne, de facto do të kemi ndoshta një shndërrim të dialogut nga dialogu Prishtinë –Beograd në dialog Prishtinë – Mitrovicë, i ndërmjetësuar nga Brukseli”, vlerëson Malazogu.

Duke e vlerësuar Marrëveshjen e Brukselit si neutrale në raport me pavarësinë e Kosovës, kryetarët e rinj serbë në veri janë në pritje të definimit të statutit të Asociacionit të Komunave Serbe në kuadër të bisedimeve që Prishtina dhe Beogradi po zhvillojnë në Bruksel.
XS
SM
MD
LG