Ndërlidhjet

Lunacek: Nuk ka liberalizim vizash këtë vit


Ilustrim
Ilustrim
Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit dhe marrëveshja e 19 prillit ka ndikuar në zbutjen e sado pak të qëndrimeve të eurodeputetëve që vijnë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian e që nuk e njohin shtetin e Kosovës, ka deklaruar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek.

Këto komente, ajo i ka bërë në Prishtinë, me ç’rast i ka informuar udhëheqësit më të lartë të Kosovës për raportin e saj të prezantuar në Parlamentin Evropian.

Eurodeputetja austriake, Lunacek ka folur edhe për nevojën që Kosova të shënojë më shumë përparime në luftimin e krimit e korrupsionit.

Reformën zgjedhore që po bëhet në Kosovë e ka cilësuar krejtësisht minore, kurse u ka sugjeruar liderëve kosovar që të mos japin premtime për liberalizim të shpejtë të vizave, pasi që ky proces mund të zgjasë me vite.

Në Bashkimin Evropian sivjet ka zgjedhje dhe nuk ka shpresa për marrjen e ndonjë vendimi, për vizat, ka thënë eurodeputetja Lunacek.

“Liberalizimi nuk do të ndodhë sivjet. Më pas, 1, 2 apo 3 vite, nuk e di se sa mund të zgjasë ky proces”, ka thënë Lunacek.

Ajo ka rikujtuar deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi të bëra qysh në vitin 2010 se liberalizimi do të ndodhë brenda gjashtë muajve dhe ka rekomanduar që parashikime të tilla nuk mund të bëhen.

Një përafrim sado simbolik të Kosovës me Bashkimin Evropian, Lunacek e sheh te dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Dialogu dhe Marrëveshja e 19 prillit, bashkë me zbatimin që është në proces e sipër ka ndihmuar në zbutjen e qëndrimeve edhe të disa vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Lunacek.

Sipas saj, kjo nuk nënkupton që këto pesë vende evropiane do ta njohin Kosovën, por ato janë më fleksibile në rastet kur kërkohet që Kosova të jetë pjesë e një konference apo organizate ndërkombëtare.

Më pas, eurodeputetja Lunacek është ndalur edhe në zhvillimet e brendshme politike në Kosovë.

Ajo nuk ka lavdëruar reformën zgjedhore që po prezantojnë partitë politike, duke e cilësuar atë si krejt minore, pasi që në shumë pika ajo e kthen procesin prapa.

“Kjo nuk është në të vërtetë një reformë zgjedhore. Ajo është shumë minore dhe nuk e meriton të quhet reformë zgjedhore”, është shprehur Lunacek.

Kosova si një zonë zgjedhore dhe votimi me lista të mbyllura, paraqet një përvojë që është përdorur edhe në të kaluarën, ka rikujtuar ajo.

Kurse rreth çështjes më të ndjeshme të kësaj reforme, përkatësisht ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë, Lunacek ka thënë se u takon institucioneve të marrin vendimin, pasi që mandati kushtetues tashmë ka përfunduar për vendet e rezervuara.

Ajo nuk është pajtuar me konstatimet e disa medieve serbe se komunitetit serb po u cungohet përfaqësimi në institucionet e Kosovës

“Kushtetuta e Kosovës garanton 10 ulëse për serbët. Kështu që nuk qëndron ajo se ata po humbin përfaqësimin në Kuvend, e po ashtu Kushtetuta garanton edhe poste ministrore e nën-ministrore në qeveri”, ka thënë Lunacek.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek mbetet mjaftë e angazhuar në zhvillimet rreth Kosovës.

Ajo ka mbështetur në shumë raste nismat për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, kurse si eurodeputete, është vlerësuar se luan një rol të madh në afirmimin e shtetit të Kosovës brenda Parlamentit Evropian.
XS
SM
MD
LG