Ndërlidhjet

Maqedoni: Fjalor nxitës mes partish


Local elections in Macedonia 2013
Local elections in Macedonia 2013
Fjalori nxitës ndërmjet partive politike, ka filluar të marrë intensitet tani në periudhën parazgjedhore, në të cilën ndodhet Maqedonia.

Ato po shfrytëzojnë mediat që kanë nën kontroll, për realizimin e qëllimeve të tyre, ndërsa veç etiketimeve dhe pretendimeve për përfshirjen e kundërshtarëve në afera korruptive, në disa raste ka pasur edhe thirrje për mobilizim etnik të maqedonasve për të arritur fitore sa më të thellë në zgjedhje, që të mos kushtëzohen më pas nga partitë shqiptare gjatë formimit të qeverisë së re.

Sipas një ankete të realizuar nga agjencia “Rejting”, për nevojat e institutit maqedonas të mediave, gati 80 për qind e qytetarëve kanë vërejtur gjuhën e urrejtjes mes politikanëve, ndërsa 70 për qind mendojnë se fjalori i tillë ka shënuar rritje viteve të fundit.

Izet Zeqiri, profesor universitar dhe ish-deputet, thotë se gjuha e tillë e urrejtjes duhet të ndërpritet pasi mund të ketë pasoja të paparashikueshme për shoqërinë.

“Një gjuhë e tillë e urrejtjes nxit reagime te pala tjetër dhe krijon polarizime komunikuese që mund të shndërrohen në polarizime tjera që reflektohen edhe në aspekt të sigurisë, të qëndrueshmërisë së mirëbesimit në mes të popullatës, e kështu me radhë“, thotë Izet Zeqiri, ish-deputet dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Bartës kryesorë të fjalorit të nxitës janë partitë politike, pavarësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, thotë Mirjana Najçevska, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ligjëruese në Universitetin e Shkupit.

Por, sipas saj, përgjegjësia kryesore mbi pasojat që shkaktojnë nxitjet e tilla, bie para së gjithash mbi partitë qeverisëse.

“Partitë që janë në pushtet, pas tyre kanë sistemin gjyqësor, pas tyre kanë Prokurorinë dhe gjithë strukturën shtetërore, andaj edhe në anën e tyre është përgjegjësia për mossanksionimin e gjuhës së urrejtjes. Por, institucionet thjesht nuk duan as të dëgjojnë për këtë pasi ndihen shumë mirë në shfrytëzimin e fjalorit të urrejtjes, si në fushata parazgjedhore, ashtu edhe gjatë kohës së qeverisjes së tyre. Këtë ato e trajtojnë si diçka shumë normale në luftën me kundërshtarët politike”, thotë Najçevska.

Hulumtimi tregon se mediat janë mjeti kryesor për transmetimin e fjalorit nxitës të partive politike, edhe pse i njëjti është i pranishëm edhe në kontaktet mes vetë njerëzve të thjeshtë.

Komunikologu Klime Banunski thotë se gjuha e tillë e urrejtjes, gjithmonë tentohet të fshihet pas lirisë së shprehjes. Ai konsideron se kjo e drejtë ekziston, por assesi nuk guxon që të kërcënojë lirinë e tjetrit, pasi shumë lehtë mund të kalojë nga gjuhë të urrejtjes në dhunë verbale.

“Me deklarata të tilla nxitëse nuk sqarohet apo nuk elaborohet procesi, por thjesht bëhet fjalë për nxitje apo perceptim negativ të të gjithë situatës. Nxitësit e urrejtjes gjithmonë thirren në lirinë e shprehjes, por kjo e drejtë nuk duhet të cenohet duke e transferuar në dhunë verbale”, vlerëson Banunski.

Ekspertët vlerësojnë se situata e tillë është pasojë e mosdefinimit të qartë të normave ligjore, të cilat do të mundësonin ndjekjen penale të personave që përçojnë fjalorin nxitës, por edhe ato që ekzistojnë në Kodin penal thuajse asnjëherë nuk zbatohen në praktikë.

Deri tani asnjë person nuk është marrë në pyetje nga institucionet për shkak të përdorimit të fjalorit nxitës, ndërsa kanë munguar edhe paditë private ndaj personave të tillë, që kohëve të fundit janë shtuar në numër.
XS
SM
MD
LG