Ndërlidhjet

Dita Ndërkombëtare e Punës, me papunësi të lartë


Ilustrim
Ilustrim
Dita Ndërkombëtare e Punës, Kosovën e gjen me nivelin më të lartë të papunësisë në rajon. Papunësia në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare, vlerësohet të jetë problemi thelbësor i qytetarëve të Kosovës.

Bazuar në shkallën e papunësisë, Kosova ka rreth 40 për qind të qytetarëve të papunë, Maqedonia rreth 33 për qind, Bosnja e Hercegovina 24 për qind, Serbia 17,4 për qind, si dhe Mali i Zi 11 për qind.

Autoritetet e Kosovës, për të ulur shkallën e papunësisë, vazhdimisht kanë proklamuar projekte të ndryshme ekonomike, me anë të së cilave premtonin hapje të vendeve të reja të punës, por që në 15 vjetët e fundit numri i të papunëve nuk ka shënuar rënie.

Zhvillimi i ngadalshëm ekonomik është thënë nga ekspertë të çështjeve ekonomike se është elementi kyç që po pamundëson punësim. Ata thonë se kanë dhënë sugjerime të shumta se si të arrihet deri tek ulja e papunësisë, por që rezultati gati ka qenë zero.

Arianit Berisha është 30 vjeç dhe i papunë. Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se nuk i është ofruar asnjëherë mundësia që të punojë. Berisha ka të përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, por nuk ka arritur të gjejë punë.

Ai thotë se ka aplikuar në 10 vende të punës, por që thotë nuk është ftuar as në intervistë pune.

“Do të aplikoja edhe sot nëse ka diku ndonjë konkurs, do të dëshiroja të punoja, kam nevojë të punoj. Nuk më është dhënë mundësia asnjëherë të tregoj atë që e kam mësuar gjatë studimeve, duhet të bëhet diçka në këtë drejtim, në të kundërtën është e vështirë për ne dhe familjet tona”, shprehet ai.

Ngjashëm mendon edhe Merita:

“Është mjaft e vështirë të gjesh punë sot në Kosovë, pavarësisht përgatitjeve që marrim gjatë studimeve, ka shumë punëtorë e pak vende të reja të punës”.

Shkalla e lartë e papunësisë, vlerësojnë të rinjtë, po shfrytëzohet edhe nga punëmarrësit në sektorin privat. Ata thonë se ndërmarrjet private pranojnë dhe largojnë punëtorë kur dëshirojnë, duke mos respektuar kështu Ligjin e punës, i cili është në fuqi që nga viti 2011.

Në mbarë botën, 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, kryesisht shënohet me protesta.

Dita e Punës është festë ndërkombëtare, e cila i kushtohet luftës për ruajtjen dhe përparimin e të drejtave të punëtorëve.

Në Kosovë, mekanizmi për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve është Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ky mekanizëm shumë herë nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe shoqëria civile në vend, është kritikuar për mospërmbushjen e misionit që ka.


Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, mendon se për vite me radhë sindikalistët kanë shkaktuar përçarje mes vete dhe janë treguar të pazotë karshi mbrojtjes së interesave të punëtorëve.
Ibrahim Rexhepi
Ibrahim Rexhepi



“Të drejtat e punëtorëve ka kohë që janë nëpërkëmbur dhe ato kryesisht janë në mëshirën e punëdhënësit. Kjo ndodh për shkak se ata nuk kanë mbrojtje, nuk e kanë një sindikatë që do të punonte dhe do të qëndronte karshi kërkesave ve dhe të drejtave që i kërkojnë punëtorët”, vlerëson Rexhepi.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i punëkërkuesve, të cilët janë të regjistruar në zyrat e punësimit, është rreth 350 mijë, ndërsa të punësuar llogariten të jenë mbi 400 mijë qytetarë.

Në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë, derisa ky treg absorbon jo më shumë se 6 mijë persona.
XS
SM
MD
LG