Ndërlidhjet

Matematikat e pasakta të partive politike


Në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit në Kosovë, hapja e vendeve të reja të punës është bërë një ndër premtimet më të mëdha të partitë politike në vend.

Në planin ekonomik të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi ka thënë se synim i tij kryesor është që përmes Fondit të Punësimit prej 1.5 miliard eurosh, të krijojë 200 mijë vendeve të reja të punës.

Vende të reja të punës ka premtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

Gjatë një takimi me biznese, Mustafa ka premtuar se vetëm në sektorin e bujqësisë do të investojë 1.2 miliardë euro ku do të arrijë të krijojë 120 mijë vende pune.

Po ashtu, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), gjatë takimeve të tyre kanë premtuar hiç më pak se 200 mijë vende të reja të punës.

Por, se a janë të realizueshme këto premtime, flasin ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë sqaron se krijimi i rreth 200 mijë vendeve të reja të punës të premtuara nga krerët e partive politike janë të paarritshme në një ekonomi çfarë ka Kosova.

“Le të themi se janë premtime euforike para elektorale, jo të mira, meqenëse janë premtime të paarritshme, marrë parasysh resurset që i ka Kosova në dispozicion dhe ecuritë e deritanishme të vendit. Për të krijuar 200 mijë vende të reja të punës ne duhet të kemi rritje ekonomike prej 20 për qind brenda vitit. Rritje ekonomike prej 20 për qind brenda një viti nuk e ka pasur asnjë shtet të botës në historinë e njerëzimit. Pra janë premtime euforik pa ndonjë arsye dhe si të tilla shndërrohen në tallje publike”, shprehet Abdixhiku.

Matematikën e liderëve të partive politike, që ata po e bëjnë në hapjen e vendeve të reja të punës, Abdixhiku e quan matematikë të pasaktë dhe të padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës.

“E vërteta është se premtimet e deritanishme nuk kanë ndonjë elaborim të qartë të politikave të sakta që do të ndiqen nga partitë politike në rast se e marrin pushtetin dhe për të arritur një numër të caktuar të punëve, këto më tepër janë dëshira të përgjithshme”, shton Abdixhiku.

Në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, papunësia ishte mbi 43 për qind.

Derisa, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të cilat flasin për vitin 2012 tregojnë se papunësia në Kosovë është 30.9 për qind, por ka pasur edhe të dhëna të cilat flisnin për një papunësi edhe mbi 40 për qind.

Këto të dhëna tregojnë se papunësia brenda katër viteve ka arritur të zvogëlohet rreth 10 për qind.

Derisa, nëse do të hapeshin rreth 200 mijë vende të reja të punës, ashtu siç premtojnë liderët e partive politike, atëherë numri prej 350 mijë të papunë të cilat janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën do të zvogëlohet në 150 mijë.

Zvogëlimi i këtij numri të të papunëve të regjistruar, thotë drejtor i Instituti për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, është i pamundur.

Ai rikujton që qeveria e deritanishme për katër vite formalisht nuk ka arritur të krijojë më shumë se 40 mijë vende pune.

“Këto shifra shabllone prej 200 mijë apo 120 vendeve të punës janë pak të besueshme, ne dëshirojmë të besojmë që Kosova ka potencial që të krijohen këto vende të punës në vitet në vijim , mirëpo ajo çka kanë dështuar partitë politike është të tregojnë se si do ët arrijnë t’i krijojnë këto vende të punës. Unë nuk besoj se këto krijohen vetëm në bujqësi edhe vetëm bujqësia do të krijojë zhvillim ekonomik. Vetëm me subvencione dhe fonde publike nuk arrihet të krijohen këto vende të punës dhe të mirëmbahen ato”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Demi.

Vlen të theksohet se Korniza afatmesme e shpenzimeve 2013- 2015 e miratuar kohë më parë nga Qeveria e Kosovës, nuk parasheh punësim të ri deri në fund të vitit 2015.
XS
SM
MD
LG