Ndërlidhjet

Shqipëri: Dita e pestë e goditjes së policisë në Lazarat


Policia e Shqipërisë duke hyrë në fshatin Lazarat
Policia e Shqipërisë duke hyrë në fshatin Lazarat
Tymi nga djegia e bimëve të marihuanës dilte nga një duzinë të shtëpive në ditën e pestë të lëvizjes më serioze të Shqipërisë deri tash, kundër fshatit jugor, Lazarat, i armatosur deri në dhëmbë, që ka prodhuar marihuanë në shkallë industriale, për më tepër se 5 vite, raporton agjencia Reuters nga Lazarati.

Nën urdhërin e qeverisë së re të inauguruar në shtatorin e vitit të kaluar, policia ka lëvizur drejt Lazaratit ditën e diel, pasi kundër policiëve kishte pasur të shtëna nga armët për shkak të spiunimit të plantazheve një ditë më herët.

Fshati me afro 5 mijë banorë jetonte nga biznesi i marihuanës. Sugjerohet se afro 60 hektarë ishin kultivuar në Lazarat, në muajin nëntor të vitit të kaluar, me 300 mijë bimë të afta për të dhënë 500 tonë të kanabisit, që praktikisht është gjysma e prodhimit total në Shqipëri.

“Kësaj radhe ne do ta përfundojmë këtë; ligji dhe Zoti është në anën tonë”, i thoshte njësitit të tij një komandant i forcave speciale të policisë.

Ministria e brendshme i ka këshilluar njerëzit që të mbeten brenda shtëpive gjatë operacionit, ndërsa policia tash e ka kontrollin ndaj 40% të fshatit.

Banorët e ndjekin dramën direkt në televizion; disa vetë i kanë djegur sasitë e tyre të marihuanës për t’i shkatërruar provat.

Policia thot se deri tash i kanë shkatërruar 80 mijë bimë dhe fidane të marihuanës dhe 1.2 tonelata kanabis, i kanë gjetur dy laboratore për prodhimin e drogës dhe kanë konfiskuar armatim dhe municion.

Janë arrestuar 13 njerëz për kultivimin e kanabisit dhe për të shtëna me armë kundër policisë. Janë bastisur 80 shtëpi.

Përkundër këmbimit të gjatë të të shtënave, nuk ka pasur viktima serioze deri tash, pos katër të lënduarve lehtë, përfshirë dy barinj.

Komisioni Evropian, që ka rekomanduar që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për pranim në Bashkimin Evropian, e ka mirëpritur atë që e ka cilësuar si operacion të suksesshëm të policisë.

“Qartas tregon përkushtimin e Shqipërisë për luftimin e drogës dhe krimit të organizuar”, thuhet në kumtesën e KE-së, dhe shtohet se “lufta e Shqipërisë kundër drogës duhet mëtutje të intensifikohet”.
XS
SM
MD
LG