Ndërlidhjet

Faktorët e radikalizmit islam në Kosovë


Kriza në sistemin politik e zhvillimor që po përcillet me mungesë të perspektivës ekonomike dhe cilësi të dobët të arsimit, janë dy nga shumë faktorë që po ndikojnë në indoktrinimin e të rinjve dhe rekrutimin e tyre në radhët e organizatave ekstremiste islamike, vlerësojnë profesorë të filozofisë e sociologjisë.

Sipas tyre, në Kosovë ka kohë që kanë krijuar terrenin e tyre edhe disa organizata e lëvizje të proklamuara si humanitare, të cilat dyshohet se kanë shtrirë ndikimin te një pjesë e shoqërisë përmes predikimit radikal e fanatik të fesë islame.

Ligjëruesi i Filozofisë Politike Klasike, Blerim Latifi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka të paktën tre faktorë që kanë determinuar këtë situatë që si pasojë ka sjellë rekrutimin e të rinjve kosovarë për t'i dërguar në lufta fetare në Siri apo Irak.

Në radhë të parë, ai konsideron se në Kosovë ka një krizë të thellë në sistemin politik. Në Kosovë ka një krizë korruptimi radikal e sistematik të jetës politike dhe ku sistemi politik nuk po u ofron asnjë shpresë të rinjve, ka thënë Latifi. Andaj, sipas tij, në shoqëritë ku ka kriza të tilla, grupet e caktuara gjejnë terrenin më të mirë për indoktrinimin e të rinjve për përfshirje në grupe radikale, madje edhe ato të radikalizmit islamik.

"Faktor tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është mbyllja përherë e më e madhe e perspektivës ekonomike për të rinjtë e Kosovës. Ne tash e sa vjet jemi të përfshirë në një gjendje të stagnimit ekonomik dhe të status quo-së ku zhvillimi ekonomik duket tepër i largët, tepër jo premtues për të rinjtë e Kosovës. Në këtë situatë të pesimizmit dhe jo-perspektivës ekonomike, gjithmonë gjenden grupe e individw, të cilët u propozojnë qytetarëve, të rinjve të Kosovës rrugë alternative për t'i realizuar interesat dhe perspektivën e tyre ekonomike", thotë Latifi.

Një faktor tjetër i rëndësishëm që e ushqen fuqizimin e interpretimin radikal të fesë, sipas Blerim Latifit, është edhe kriza e sistemit të arsimit dhe rënia drastike e cilësisë së arsimit në Kosovë.

"Kjo krizë ka krijuar një situatë të atillë që sot sistemin arsimor në Kosovë e kemi një sistem që riprodhon injorancën. Kur nuk ke arsimim funksional, cilësor e modern, në këso kushte shfaqen edhe grupe e lëvizje dhe interpretime të tilla fetare e ideologjike që përpiqen të zënë rrënjë në shoqëri", thekson Latifi.

Ndërkohë, profesor Ismajl Hasani, sociolog i religjionit, thotë se pas raportit jo të favorshëm të Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare me specifikim Kosovën, arrestimi i fundit i 40 personave nën dyshimet për inkriminime në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe organizata terroriste, paraqet një lajm tjetër shumë të keq për Kosovën dhe imazhin e saj.

Faktori ekonomik dhe papunësia e lartë në Kosovë është përfolur si një nga kryesorët që besohet se po ndikon në manipulimin e të rinjve për t'i dërguar në fushëbeteja në Siri e Irak. Por, profesori Hasani thotë se ky është vetëm një faktor, dhe jo domosdo edhe kryesori.

"Mendoj se është banale të minimizohet vetëm në faktorin material, sepse një i ri ka rrugë tjera të ndryshme për të siguruar bukën e gojës nëse është çështja te ky fakt. Por, prej storieve që po i shohim, shtëpitë e këtyre, qoftë që po vriten apo po bastisen, nuk janë familje që kanë mungesa elementare. Kështu që justifikimi vetëm me faktorin ekonomik për vendim për të shkuar në fushëbeteja që nuk dihet se të kujt janë, është tepër injorant", shprehet Hasani.

Duke lënë anash spekulimet e supozimet, sipas të cilave, në indoktrinimin e të rinjve një rol të caktuar po luajnë edhe organizata të caktuara joqeveritare apo edhe predikues të caktuar e imamë të xhamive, profesori Ismajl Hasani thotë për Radion Evropa e Lirë, se është çështje urgjente që të ketë një koordinim të veprimeve me Bashkësinë Islame.

"Mendoj se është urgjente që të bëhet bashkërendimi i veprimeve të organeve të rendit dhe Prokurorisë me Bashkësinë Fetare Islame. Është më se urgjente në këtë fazë për të shpëtuar çka mund të shpëtohet në kuptimin jo vetëm të reputacionit të Kosovës, por edhe në kuptimin më të gjerë të shpëtimit të jetëve të njerëzve", konsideron Hasani.

Një fenomen tjetër që ka ndodhur në Kosovë pas luftës së fundit, ishte edhe ai i pranisë së madhe ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat e ndryshme joqeveritare nga vende të ndryshme, të cilat luanin rolin e organizatave humanitare në fazën e pas konfliktit.

Por, disa nga këto organizata, sipas Blerim Latifit dyshohet se kanë filluar qysh atëherë aktivitetin dhe veprimtarinë e tyre për indoktrinime fetare, duke u fshehur pas petkut të organizatave humanitare në Kosovë.

Këto organizata dhe lëvizje kanë përfaqësuar interpretime radikale e ekstreme të religjionit, në këtë rast të atij islam dhe si të tilla kanë arritur të depërtojnë thellë te një pjesë e shoqërisë në Kosovë, sidomos te të rinjtë, thotë Latifi.

"Të gjitha këto lëvizje duke promovuar një interpretim radikal të islamit, integralist e ekstremist, kanë krijuar klimën e fanatizmit fetar, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shumë logjike shpie te këso dukuri të tilla siç janë mobilizimi, rekrutimi për shkuarjen e të rinjve tanë në luftërat e tilla si në Siri e Irak", deklaron Latifi.

Si pasojë e përfshirjes në luftë në Siri e Irak, disa shtetas të Kosovës tashmë kanë humbur jetën atje. Kurse së fundit, organet e ndjekjes penale arrestuan 40 persona të cilët dyshohet se kanë luftuar në Siri e Irak në mbështetje të organizatave të shpallura terroriste, si ISIS e AL Nusra.

XS
SM
MD
LG