Ndërlidhjet

Konferenca e Berlinit, rast dhe qortim për Ballkanin


Konferenca për vendet e Ballkanit Perëndimor
Konferenca për vendet e Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Evropian u ka rikonfirmuar vendeve të Ballkanit Perëndimor se rruga për në BE kalon përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kështu vlerësojnë analistët politikë pas përfundimeve të konferencës për vendet e Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Berlin, nën organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Analisti Shpend Kursani ka thënë për Radion Evropa e Lirë se konferenca e Berlinit shpërfaqi brengën e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian me nivelin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në vendet e Ballkanit.

"Nga kjo konferencë edhe njëherë u shfaq interesimi i Bashkimit Evropian që këto vende të hyjnë në BE, mirëpo u tha qartë që pa u luftuar dukuritë siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, Bashkimi Evropian vetëm se mund të harrohet", ka theksuar Kursani.

Konferenca e Berlinit, sipas Shpend Kursanit, i ka "legjitimuar" në njëfarë mënyre disa nga liderët e vendeve Ballkanike edhe si përgjegjës për gjendjen e krijuar në vendet e tyre.

"Me këtë takim, Bashkimi Evropian dhe Gjermania i kanë legjitimuar liderët e këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilët pikërisht janë përgjegjës për nivelin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sepse sidomos Gjermania e ka të qartë se këta liderë të gjithë janë milionerë dhe persona shumë të pasur në vendet e varfëra të Ballkanit Perëndimor", ka thënë Kursani.

Ndërkohë, analisti Shenoll Muharremi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Konferenca ishte një hap pozitiv, pasi që rikonfirmon të ardhmen dhe perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor.

Kurse sa i përket Kosovës, ai ka shprehur dyshime rreth projekteve të cilat kryeministri në largim, Hashim Thaçi i ka prezantuar duke kërkuar mbështetjen e BE-së.

"Projektet që specifikisht Kosova i ka propozuar, kanë qenë të çuditshme, ngase BE-ja nuk do t'i financojë ato rrugë që i ka prezantuar z.Hashim Thaçi. Për mendimin tim, Gjermania në këtë rast i ka mbledhur vendet e Ballkanit Perëndimor jo vetëm për t'u siguruar të ardhmen e tyre evropiane por edhe për të kërkuar tregje për kompanitë gjermane që të investojnë".

"Ndërsa për të qenë atraktive Kosova për bizneset gjermane duhet të bëjë shumë më shumë, duke u nisur pikë së pari në çështjet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjykatat funksionale e të ngjashme", ka thënë Muharremi.

Kosova, sikurse edhe vendet tjera të rajonit duhet të krijojnë ambient të sigurt për investitorët e jashtëm, para se të kërkojnë mbështetje të projekteve të caktuara, ka theksuar Shenoll Muharremi.

"Nga aspekti praktik i përfitimit të bizneseve të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës, nuk shoh kurrfarë progresi. Kjo për shkak që Kosova, por edhe vendet tjera të Ballkanit kanë shkuar me ide e projekte utopike në të cilat nuk besoj që as BE-ja e as Gjermania janë të interesuar t'i investojnë mjetet në autostrada", është shprehur Muharremi.

Në këtë Konferencë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, u kanë bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor, që fuqishëm të lëvizin përpara me reforma të thella ekonomike dhe politike, me të cilat do të shtoheshin gjasat e tyre për pranim në BE.

Në takimin njëditësh në Berlin, morën pjesë zyrtarët e lartë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës, dhe Sllovenia e Kroacia, që tashmë janë anëtare të BE-së.

Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë me këtë rast se shtetet e Ballkanit mbajnë barrën kryesore dhe varësisht nga efikasiteti i reformave strukturore përmbajtjesore, e sidomos atyre në fushën e sundimit të rëndit dhe ligjit, do të përcaktohet edhe dinamika e anëtarësimit në BE.

Mirëpo, ka shtuar ai, është e qartë se reformat e tilla do të jenë shumë të vështira në rast se BE-ja nuk e mban derën e hapur dhe nuk ofron ndihmën e nevojshme qoftë teknike apo financiare për t’i përshpejtuar këto reforma.

XS
SM
MD
LG