Ndërlidhjet

Privatizimi i "korruptuar"


Ilustrim
Ilustrim

Hetimet e fundit të bëra nga Policia e Kosovës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në Prishtinë, lënë të kuptosh se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë ka kaluar me shumë parregullsi.

Të martën, Policia e Kosovës kishte realizuar një operacion policor në dy zyra të Departamentit ligjor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nën dyshimin e bazuar se gjashtë persona kanë kryer vepra penale.

Derisa, në prill të këtij viti Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kishte shoqëruar në polici 11 zyrtarë dhe anëtarë të bordit të AKP-së dyshimin se kanë kryer vepra penale, keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim në detyrë dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se për procesin e privatizimit çdo herë ka pasur kritika dhe se i tillë nuk i ka sjell asgjë të mirë vendit, nuk ka nxitur punësim dhe nuk ka tërhequr investitorë.

“Gjithmonë ka pasur dyshime rreth rregullshmërisë së krejt procesit në aspektin ligjor dhe realisht dyshimet kanë qenë të forta, shpeshherë të bazuara, por nuk ka pasur veprime konkrete të institucioneve përgjegjëse, në këtë rast Prokurorisë dhe hetuesisë. Arrestimet e fundit, pa marrë parasysh se si do të përfundojnë apo cili do të jetë efekti i tyre, megjithatë lënë prapë për të dyshuar se aty ka diçka shumë të parregullt”, thotë Rexhepi.

Janë bërë më tepër se një dekadë që kur ka filluar raundi i parë i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Deri më tani në privatizim janë përfshirë mbi 400 ndërmarrje shoqërore, prej të cilave janë krijuar dhe tenderuar mbi 800 ndërmarrje të reja.

Ndërkaq 26 ndërmarrje shoqërore janë privatizuar me metodën e spin off-it special.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se procesi 10-vjeçar i privatizimit ka pasur shumë gabime, por si proces është i rëndësishëm në zhvillimet ekonomike në Kosovë.

Pa marrë parasysh dobësitë që po ndodhin në këtë proces të privatizimit, mendoj që Kosova duhet ta përmirësojë këtë proces, qoftë përmirësimi të ndodhë si rezultat i ndryshimeve ligjore, qoftë si rezultat i ndryshimeve kadrovike në këto institucione që janë kompetente për privatizim dhe në asnjë mënyrë të ndalet procesi i privatizimit”, vlerëson Ramosaj.

Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, shton Ramosaj, është një domosdoshmëri e zhvillimit ekonomik të vendit, por që për një proces të mirëfilltë duhet të përmirësohen gabimet, të cilat janë bërë deri më tani e që nuk arsyetohen.

“Privatizimi duhet të vazhdon, por të mënjanohen të gjitha ato dobësi që dalin, qoftë nga aspektet normative ligjore që janë duke u zbatuar nga AKP-ja ose dobësitë tjera të natyrës subjektive që janë qoftë nga personeli i AKP-së, qoftë nga klanet e caktuara që ndërhyjnë në këtë proces”, thekson Ramosaj.

Procesi i privatizimit në Kosovë vazhdimisht është kritikuar për procedurat e aplikimit dhe që nuk ka sjell efekte pozitive në ekonominë e Kosovës.

Madje, është thënë se autoritet kosovare nuk kanë qenë të përgatitura për këtë proces.

Me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore gjithnjë të pakënaqur kanë qenë edhe përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

XS
SM
MD
LG