Ndërlidhjet

Pa kompromis për tejkalimin e krizës


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës, si parti fituese në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, vazhdon t’u bëjë thirrje bllokut pas zgjedhor, që të ulen dhe të bisedojnë për një zgjidhje që të tejkalohet kriza rreth formimit të institucioneve të reja.

Deputeti Adem Grabovci nga PDK-ja, tha për Radion Evropa e Lirë se mund të krijohet një zgjidhje e shpejtë edhe pas konsultimeve që ka nisur presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, me liderët e partive politike.

“Jemi deklaruar me kohë kemi shprehur gatishmërinë tonë për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve për të biseduar me të gjithë liderët e partive politike. Gjithashtu, PDK-ja asnjëherë nuk është udhëhequr nga politikat përjashtuese, nuk e ka përjashtuar asnjë subjekt politik për të biseduar rreth angazhimeve dhe aktiviteteve që shkojnë në drejtim të konstituimit dhe fuqizimit të shtetit të Kosovës”, tha Grabovci.

Ai tha po ashtu se janë në pritje që edhe subjektet e tjera të gjykojnë në bazën e arsyes dhe interesit të shtetit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve dhe Kushtetutën e vendit.

Por, kërkesën e PDK-së për të negociuar rreth një zgjidhje, e ka refuzuar blloku pas zgjedhor.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe i nominuari nga koalicioni pas zgjedhor për postin e kryeministrit, ka insistuar në të drejtën që blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje si shumicë parlamentare të marrin nën drejtim kreun e Kuvendit.

Haradinaj, thotë se zgjidhja për të dalë nga kjo situatë duhet të gjendet në kuvend.

“Ne po u kërkojmë atyre të reflektojnë një realitet politik, një normë me të cilën kanë jetuar ata dhe ne. Do të thotë ata kanë udhëhequr vendin në emër të një shumice politike, ndërsa tani kur nuk e kanë ketë shumicë dihet çka ndodh – ata duhet të lëshojnë rrugë. Ka shumicë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, janë 63 deputet të zgjedhur që janë bashkë në një koncept të ndërtimit të institucioneve”, tha Haradinaj pas një takimi që ka pasur të premten me përfaqësuesit e deputetëve minoritar, ku siç u tha është biseduar për mundësinë e daljes se vendit nga kriza institucionale.

Ai ka kritikuar kryeministrin në detyrë Hashim Thaçi, që sipas tij veprimet e fundit të qeverisë në largim janë në kundërshtim me normat dhe të gjitha parimet demokratike.

“Atë çka e bën sot PDK, është kriminale. Pra, qeverisja në ketë mënyrë – operimi me buxhet në emër të 36 deputeteve është akt kriminal – veprim kriminal do të thotë çdo veprim që bëjnë më tutje janë në kundërshtim me ligjin, me normat me të cilat kanë qeverisur deri tash”, tha Haradinaj.

Krijimi i institucioneve të reja ka ngecur tek posti i kryetarit të Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës si fituese e zgjedhjeve, nuk po arrin të sigurojë shumicën në Kuvend për të marrë këtë post, përderisa blloku opozitar pavarësisht që ka krijuar një shumicë parlamentare, nuk po gjenë hapësirë kushtetuese për të marrë nën drejtim kreun e Kuvendit.

Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme për të dal nga kjo situatë e krijuar nuk përkrahet nga blloku pas zgjedhor, e as nga ana e komuniteteve pakicë.

Mahir Jagxhillar nga Grupi 6 plus, tha të premten se askush nga pakicat nuk dëshiron të ketë zgjedhje të reja.

“Opsioni i zgjedhjeve nuk është i pranueshëm dhe të shikojmë si është e mundur që të bëjmë një zgjidhje, ndoshta të kërkojmë një sqarim ose përmes presidentes ose drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese”, tha Jagxhillar.

Pas konsultimeve të nisura, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ende nuk ka marrë ndonjë opsion nga partitë politike se si të tejkalohet kriza rreth formimit të institucioneve.

XS
SM
MD
LG