Ndërlidhjet

Pas braktisjes nga Rusia, kah shkon Serbia?


Pas dështimit të “Rrjedhjes së Jugut”, ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Çepurin, duke mos shfaqur shenja shqetësimi, i ka thënë autoriteteve serbe, “drejtojuni Bashkimit Evropian”.

Njohësit e zhvillimeve në Serbi, vlerësojnë se pikërisht këtë duhet ta bëjnë autoritetet e këtij vendi, duke iu drejtuar bashkimit Evropian.

Jelena Miliq, drejtoreshë e Qendrës për studime euro-atlantike, vlerëson se gjithë rrëfimin për marrëveshjen e gazit dhe naftës me Rusinë, Serbia e ka negociuar keq.

Gjithashtu, sipas saj, nga pikëpamja politike, çështja e Kosovës, qysh në kohën e ish kryetarit serb Boris Tadiq, është bartur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe është vendosur në kontekstin e integrimeve evropiane të Serbisë. Nisur nga kjo, Miliq thotë se , Rusia më nuk mund t’ia ruaj shpinën Serbisë.

“Rrëfimi për rëndësinë e Rusisë për Serbinë, në kuptimin politik dhe ekonomik, tash po demolohet. Ajo ka nisur në kohën e regjimit të Tadiqit, kur ai ‘kishte shitur fenë për një darkë’. Për shkak të mbështetjes që Putin i kishte bërë kandidimit të tij,ai kishte pranuar marrëveshjen e pafavorshme për gazin dhe naftën”, tha Miliq.

Ajo ka shtuar se për Serbinë është e rëndësishme tash që të drejtohet drejt Bashkimit Evropian.

“Për Serbinë tash është mjaft e rëndësishme që ta kuptoj se nuk është një vend i vogël që qëndron ndërmjet dy superfuqive në konflikt - Bashkimit Evropian dhe Rusisë, por ajo duhet të shkojë drejt rrugës që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe si pjesë e Bashkimit Evropian, të ketë edhe qëndrim ndaj Rusisë. Mendoj se tash është mjaft e rëndësishme që Serbia ta bëj një hap politik të rëndësishëm përpara dhe të filloj që t’i koordinoj politikat e jashtme me Bashkimin Evropian”, theksoi Miliq.

Analisti i çështjeve politike, Dejan Vuk Stankoviq, vlerëson se pas vdekjes së “Rrjedhjes së Jugut”, Serbia nuk do të mund të qëndroj gjatë në udhëkryqin ndërmjet Evropës dhe Rusisë. Sipas tij, deri më tash, argumenti më i fortë për partneritet të Serbisë me Rusinë ka qenë gazsjellësi “Rrjedhja e Jugut” dhe ky argument tashmë nuk ekziston.

“Pasi që ai nuk ekziston më, ndërkaq i gjithë procesi rreth Kosovës është përkufizuar me Marrëveshjen e Brukselit, i cili herët ose vonë do të qojë drejt për drejtë te çështja e statusit, vihet pyetja se a mundet dhe sa mundet Serbia të qëndroj në atë udhëkryq të përjetshëm ndërmjet Evropës dhe Rusisë. Nëse flasim për opinionin serb, argumenti i forcave euroatlantike, tash është shumë më i fortë".

"Do të thotë, pa ‘Rrjedhjen e jugut’ lidhja me Rusinë mbetet vetëm në nivelin simbolik, i barabartë me kulturën, traditën dhe mbase edhe me episode të përbashkëta historike”, theksoi Stankoviq.

Ai shtoi se në qoftë se do të ketë rikonstruktim të qeverisë serbe, njerëzit që janë pro Rusisë do ta humbi ndikimin, që kishin deri më tash. Një gjë e tillë mund të pritet, sipas tij, në qoftë se shkohet në drejtim të një aksioni të përbashkët me Bashkimin Evropian.

“Në qoftë se “Rrjedhja e Jugut” ka vdekur në mënyrë definitive, atëherë mendoj se po përfundon episodi me njerëzit e pacenueshëm të rusëve në qeverinë serbe”, theksoi Stankoviq.

XS
SM
MD
LG