Ndërlidhjet

Liria e medieve peng i moszbatimit të ligjeve


Renditja e Kosovës në vendin e 87-të nga Reporterët pa kufij, në raportin vjetor të organizatës “Indeksi i Lirisë së Medieve në Botë 2015”, ka shënuar rezultatin e përkeqësimit të lirisë së medies në Kosovë krahasuar me vitin 2014, për 7 pozita dhe ky ka qenë rezultat i pritshëm nga gazetarët dhe organizatat e tyre në Kosovë.

Por, sa ka mbrojtje për gazetarët nga vetë mediet ku punojnë ata, si dhe nga institucionet në përgjithësi?

Zekirja Shabani, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Kosovë ekzistojnë ligjet dhe institucionet që janë të thirrura për mbrojtjen e gazetarëve, por në fakt, sipas tij, mungon mbrojtja e tyre.

Ai thekson se mungon zbatimi i Ligjit të punës dhe Ligjit për siguri në punë, si ligje bazike që rregullojnë këtë fushë.

“Gjatë vitit që shkoi, kemi pasur raste të kërcënimeve dhe sulmeve fizike të gazetarëve në vendet e tyre të punës, gjë që bën të kuptojmë se Ligji për siguri në punë dhe Ligji i punës nuk po zbatohet sa duhet. Institucionet të cilat janë të thirrura të zbatojnë këto ligje dhe të kujdesen për zbatimin e tyre, nuk po e kryejnë punën si duhet, sidomos institucionet e shtetit, në këtë rast, inspektorati i punës”.

Edhe Arben Ahmeti, gazetar në Radio Dukagjini dhe ish-kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se moszbatimi i ligjit mundëson që gazetarët të mos mbrohen ashtu siç e meritojnë. Por, sipas tij, ka mjaft shkaktarë të tjerë që e vështirësojnë punën e gazetarëve.

“Mungesa e zhvillimit ekonomik, po e denigron pozitën e medies në Kosovë dhe gjithnjë e më shumë po e bën vendin ambient të vështirë për gazetarët”.

Por, Shkëlqim Hysenaj, gazetar në Televizionin Koha, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohen gazetarët në punën e tyre, është mos mbrojtja nga mediet në të cilat punojnë.

“Gazetarët kryesisht raportojnë për afera korruptive, raportojnë për politikanë të korruptuar dhe njerëz të cilët janë të përfshirë në këto afera dhe shpeshherë ndodhë që pikërisht nga këta njerëz kërcënohen. Ndërkaq, mediumet në të cilat punojnë, atyre nuk iu qëndrojnë pas. Këtu duhet përmendur që në rast se vjen deri te një proces gjyqësor, shpeshherë ndodhë që gazetarët janë ata, të cilët i paguajnë avokatët dhe merren me të gjitha shpenzimet”.

Por, Shabani thotë se tashmë ekziston Departamenti ligjor në kuadër të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ku gazetarët mund t’i drejtohen atij, pa pagesë.

Por, a ka deri më tash raste kur gazetarët kanë shkelur kodin etik dhe janë përballur me ligjin?

Gazetarët thonë se nuk kanë njohuri për raste të tilla. Megjithatë, Shkëlqim Hysenaj, vlerëson se ka raste kur mediume të caktuara dhe portale që raportojnë në mënyrë tendencioze ose etiketojnë njerëz pa u mbështetur në burime dhe fakte.

“Ka të tilla që merren me këso ‘lajme sensacionale’ dhe bëjnë etiketime pa fakte dhe thënë të drejtën, këto janë më e keqja që po i ndodhë ditëve të fundit gazetarisë kosovare”.

Megjithatë, Arben Ahmeti vlerëson se, shikuar në përgjithësi, mediet kanë vazhduar ta ruajnë një kulturë të raportimit të gjithanshëm, por megjithatë, ka vend për përmirësime.

“Mirëpo, nëse e krahasojmë performancën e medieve, në raport me pushtetet tjera në vend, atëherë, në mënyrë definitive, mediet në Kosovë janë shumë më mirë se sa pushtetet tjera”.

Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka shprehur shqetësimin lidhur me konstatimet e evidentuara në raportin vjetor të Reporterëve pa Kufij.

Përmes një komunikate për medie nga ky asociacion është thënë se “ fakti i prezantuar në raport se dhuna ndaj gazetarëve është rritur, është shqetësuese dhe dëshmi se mbetet ende shumë punë për t'u bërë për krijimin e kushteve të favorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë”.

XS
SM
MD
LG