Ndërlidhjet

Papunësia, alarm për institucionet


Shtatë vite pas shpalljes se pavarësisë së Republikës së Kosovës, papunësia sipas shifrave zyrtare ka shënuar rënie, kurse në realitet sipas ekspertëve për çështje ekonomike, shkalla e papunësisë pothuajse vetëm është thelluar.

Përvjetori i shtatë i pavarësisë, Kosovën e gjeti me mbi 45 për qind të qytetarëve të papunë, shifër kjo që është konsideruar shqetësuese. Edhe rezultatet e përgjithshme të popullsisë të realizuara në vitin 2011, kanë treguar se papunësia është 44.9 për qind.

Por, në bazë të një ankete të realizuar në vitin 2012 dhe të publikuar një vit më vonë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se shkalla se papunësisë ka shënuar rënie në 30.9 për qind.

Kjo “mrekulli” nuk konsiderohej reale nga ekspertë për çështje ekonomike, pasi sipas tyre, Kosova nuk kishte pasur ndonjë zhvillim të theksuar ekonomik që mundësonte krijimin e vendeve të reja të punës.

E më absurde, sipas tyre ishte, ishte fakti se në atë periudhë vende të ndryshme të Evropës ballafaqoheshin me rritje të numrit të të papunëve, kurse Kosova, si shteti më i ri dhe i varfër në rajon, shënon ulje në nivelin e papunësisë.

Madje Gjergj Dedaj, ish zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, në periudhën e shpalljes se pavarësisë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga viti 2008 ka pasur rritje të shkallës së papunësisë dhe jo rënie.

Ai ndërkaq thotë se shkalla e papunësisë në Kosovë më nuk është fenomen shqetësues, por alarm për institucionet e Kosovës.

“Në vitin 2008 shkalla e papunësisë ka qenë 40 – 45 për qind , por tash mendoij se niveli i papunësisë ka arritur në mbi 50 për qind. Kurse 30 për qind nuk është e mundur, është shifër e spekuluar. Sepse shkalla e papunësisë më nuk është shqetësuese por tashmë është alarmante".

"Tash duhet të ndizet alarmi për të gjitha institucionet dhe shoqërinë kosovare, që të mendojnë se pari t'i rehabilitojnë ndërmarrjet e brendshme vendore, pastaj ekonominë e vogël dhe të përgatisin politika për krijimin e vendeve të reja të punës, por jo më nepotizëm”, ka shtuar Dedaj.

Më të prekurit nga papunësia janë të rinjtë. Mbi 75 për qind vlerësohet të jetë papunësia tek grupmoshat 15 - 24 vjeç dhe 25- 34 vjeç. Ndërkaq, problem është edhe kohëzgjatja e papunësisë, pasi afër 60 për qind prej tyre kanë qenë të papunë për më gjatë se 12 muaj.

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Ismail Kastrati, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk ka pasur ndonjë zhvillim ekonomik që mundëson zvogëlimin e shkallës se papunësisë.

Ai ndërkaq, thotë se autoritetet kompetente gjatë periudhës shtatë vjeçare të pavarësisë, në raste të caktuara kanë penguar zhvillimin ekonomik rrjedhimisht uljen e shkallës se papunësisë se sa që kanë punuar në këtë aspekt.

“Ne jemi dëshmitar të asaj se institucionet e Kosovës, viteve të fundit kryesisht merren më negociatat më Serbinë dhe shumë pak merren më zhvillim ekonomik".

"Madje, ka momente kur edhe e pengojnë zhvillimin ekonomik, për shkak të grupeve të fuqishme të cilat do të jenë pjesëtare apo “ hisenik” në çdo investim të ri“, tha Kastrati.

Ndryshe, në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë, derisa ky treg absorbon jo më shumë se 6 mijë persona.

Sidoqoftë, ky është viti i fundit kur Republika e Kosovës duhet të përmbushë objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim të ulin dukshëm varfërinë, rrjedhimisht edhe papunësinë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG