Ndërlidhjet

“Rehatia” në sektorin publik


Të rinjtë në Kosovë, më tepër dëshirojnë punësimin në sektorin publik se sa në atë privat. Sipas tyre, ky sektor vazhdimisht favorizohet nga qeveria, kurse sektori privat, nuk përkrahet, madje në disa raste ndodhë edhe diskriminimi nga punëmarrësit.

Por, arsye kryesore e dëshirës për punësim në këtë sektor është paga më e lartë, ditët e lira në fundjavë dhe pushimet për festat zyrtare.

Fjolla Kallaba, studente ne Departamentin e Gjuhës Angleze, njëherësh dhe studente e Integrimeve Evropiane në Universitetin e Prishtinës, pas përfundimit të studimeve, me dëshirë do të punësohej në sektorin publik për shkak të sigurisë më të madhe në punë.

“Për shkak të sigurisë në punë, sigurisë shëndetësore, puna është më e sigurt, por edhe për shkak të rrogës”, shton ajo.

Sipas shifrave zyrtare, në Kosovë janë të punësuar mbi 302 mijë persona, nga kjo 80 mijë në sektorin publik, të cilët marrin pagë mesatare 441 euro në muaj, kurse në sektorin privat janë të punësuar mbi 222 mijë punëtorë, paga mesatare e të cilëve është 228 euro në muaj.

Përfaqësues të punëtorëve dhe shoqërisë civile, konsiderojnë se lakmia e qytetarëve për të punuar në sektorin publik është kontrata që siguron një periudhë më të gjatë të punës, pagat më të larta dhe të rregullta.

Haxhi Arifi, udhëheqës i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se në bazë të ligjeve ekzistuese edhe sektori privat ka të rregulluar orarin e punës, kontratën, por që në këtë fushë ka probleme.

"Mund të jetë lakmuese vendi i punës në administratë, pagat janë më të rregullta dhe më të sigurta, kushtet në këtë sektor implementohen, sepse në sektorin privat ka probleme në zbatim të disa kushteve që janë në Ligj të Punës dhe marrëveshje të ndryshme", tha Arifi.

Kurse, Petrit Zogaj nga Lëvizja “Fol”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, shprehet se në Kosovë "elita politike ka krijuar një perceptim, që vetëm të jesh pjesë e sektorit publik, mund të pasurohesh dhe të kesh stabilitet më të mirë financiar".

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës, disa herë ka ngritur pagat për punëtorët në sektorin publik, kurse sektori privat nuk mund të bëjë një gjë të tillë.

“Qeveria me vendimet e saj ka krijuar një debalancë në mes të sektorit privat dhe publik dhe në këtë rast një i ri, një student, që sapo ka përfunduar një fakultet, e sheh shumë më të levërdishme që të jetë pjesë e sektorit publik, si pjesë e administratës, se sa të ketë një iniciativë private për të bërë biznes ose çfarëdo qoftë tjetër”, thekson Zogaj.

Zogaj thotë se qeveritë e djathta nuk duhet që me veprimet e tyre në treg, të krijojnë dallime në mes sektorit publik dhe privat. Ai thotë se qeveria duhet të krijojë kushte, që të rritet numri i të punësuarve në sektorin privat dhe të zvogëlohet numri në administratë.

“Në këtë rast, qeveria e ka dëmtuar biznesin, e ka dëmtuar iniciativën dhe sigurisht se sot vendimet qeveritare e kanë diskriminuar sektorin privat”, shprehet Zogaj.

Ndryshe, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, disa herë kanë shfaqur shqetësimin e tyre për një numër të madh të punëtorëve në sektorin publik dhe njëherësh punësimin pa baza meritore.

Sipas tyre, faktorët më të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në sektorin publik, janë lidhjet familjare, anëtarësia partiake dhe ryshfeti.

XS
SM
MD
LG