Ndërlidhjet

Ryshfeti po “vret” bizneset


Ilustrim
Ilustrim

Fenomeni i dhënies së ryshfetit nga disa biznese - zyrtarëve publikë, por edhe kërkim-ryshfeti nga investitorët eventual, ka ndikuar në përkeqësimin zhvillimit të veprimtarisë së bizneseve, të cilat funksionojnë në bazë të konkurrencës së lirë të tregut.

Në të shumtën e rasteve, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, bizneset private u japin ryshfet zyrtarëve publik në këmbim të ndonjë tenderi. Ata, ndërkaq, thonë se ky fenomen ka ndikuar edhe në hezitimin e investitorëve të huaj që të investojnë në Kosovë.

Musa Limani, profesor i ekonomisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se fenomeni i korrupsionit, ryshfetit, haraçit dhe fenomenet tjera negative, vazhdimisht po rriten në Kosovë. Këto fenomene, thotë ai, po e pengojnë perspektivën ekonomike të vendit.

Kjo dukuri negative po pengon ecuritë e mëtutjeshme, pengon perspektivën e Kosovës. Prandaj, pa i luftuar këto dukuri, është shumë vështirë që të ecim përpara. Mirëpo, kjo dukuri tash ka lëshuar rrënjë dhe jo vetëm se është pranishme, por është duke lulëzuar ditë për ditë, do të thotë ka lëshuar shtat dhe tashmë është shumë vështirë të luftohet”, thotë Limani.

Edhe eksperti tjetër për çështje ekonomike, Naser Graiçevci, pohon praninë dhe marrjen e ryshfetit nga personat që mbajnë pozita të caktuara në institucionet publike.

Sipas tij, ryshfeti dhe korrupsioni po privojnë bizneset që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në mënyrë të ligjshme, nga të drejtat elementare të tyre, që të jenë pjesëmarrës apo ndonjëherë përfitues të punëve publike.

Graiçevci, i cili për një kohë ka udhëhequr agjencinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se ky fenomen po vret qysh në fillim zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme.

“Ato janë prezent në çdo tender publik. Biznesi nëse nuk gjen format e veta të shkojë deri te kërkesat që janë jashtëzakonisht të modifikuara dhe nga nganjëherë të paarritshme, sigurisht që nuk do të jetë përfitues i atij tenderi”, thekson Graiçevci.

Luftimi i këtyre fenomeneve, sipas profesor Limanit, është proces i vështirë, për faktin se ata që duhet të luftojnë, vetë janë të zhytur në to. Dhe, sipas tij,të korruptuarit nuk mund ta luftojnë korrupsioni dhe ryshfetin.

“Prandaj, kërkohen ndryshime rrënjësore politike për t’i luftuar këto elemente, për arsye se ata që duhet t’i luftojnë këto dukuri, ata janë në krye të institucioneve dhe vetë ata janë në kuadër të këtyre dukurive, edhe kur është fjala e ryshfetit, haraçit, korrupsionit dhe të tjera”, shton Limani.

Ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile tashmë sa herë kanë përsëritur qëndrimin e tyre se mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, po “inkurajon”, bizneset që t’u japin ryshfet zyrtarëve publik.

Sipas tyre, procedurat e tepërta burokratike dhe korrupsioni, kanë ndikuar që shumica e kompanive, në vend se t’i adresohen gjyqësorit, si metodë për të arritur deri te përfundimi i punëve, zgjedhin dhënien e ryshfetit zyrtarëve të institucioneve të ndryshme.

Ndryshe në bazë të Kodit Penal të Kosovës, ndëshkohet edhe personi që merr dhe ai që jep ryshfet.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës thuhet se “personi zyrtar, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Por, nëse vepra penale nga paragrafi i këtij neni rezulton me përfitim në vlerë që tejkalon pesëmbëdhjetë mijë euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet”.

Ndërkaq, kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, i premton, ofron ose i jep ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër personit zyrtar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

XS
SM
MD
LG