Ndërlidhjet

Autoritetet sllovene lirojnë Haradinajn


Ramush Haradinaj, foto nga arkivi
Ramush Haradinaj, foto nga arkivi

Autoritetet sllovene i kanë hequr ndalesën liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas ndalimit dhe konfiskimit të pasaportës në Aeroportin e Lubjanës këtë të mërkure.

Të premten, pas orës 14:00 me vendim të Gjykatës në Kranj, Haradinajt i është kthyer pasaporta, me çka atij i është mundësuar kthimi në Kosovë. Ahmet Isufi nga Kryesia e AAK-së, ka konfirmuar lirimin e Haradinajt.

"Po Haradinaj është liruar. E ka marrë pasaportën dhe pritet të kthehet në Kosovë", ka thënë Isufi.

Këshilltari i Haradinajt, Alban Dërmaku, i cili ndodhej me liderin e AAK-së në Slloveni, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se "përfundoi edhe shfaqja e ndyrë e shtetit 'mik' që i dhuroj një spektakël politiko-juridik mbarë shqiptarëve në botë, shteteve të rajonit, Evropës dhe SHBA-ve".

Ramush Haradinaj është ndaluar të mërkurën pasdite në aeroportin e Lubjanës derisa po kthehej nga Gjermania në Kosovë.

Kjo ndalesë thuhet se bazohet në një kërkesë të Serbisë të vitit 2004, e cila autorizon Interpolin që të arrestoj Haradinajn, si edhe shumë figura tjera të UÇK-së, nën dyshimet për krime lufte.

Këtë veprim të autoriteteve sllovene, Haradinaj e ka cilësuar si absurd dhe të pabazë. Fletarreste të tilla, sipas tij, janë anuluar tashmë në të gjithë botën, përveç Sllovenisë.

"I ka anuluar krejt bota ato fletarreste. Ai fletarrest është i vitit 2004 i lëshuar nga shteti Serbi Mal i Zi i, cili nuk ekziston më dhe nuk ka të bëjë me ligj. Kjo nuk ka bazë ligjore kjo sjelle dhe është krejtësisht absurde", ka thënë Haradinaj.

Përderisa gjatë ditës, mediat në rajon raportonin edhe për një kërkesë të Serbisë për ekstradimin e eventual të Haradinajt në Serbi, një mundësi të tillë e kishte hedhur poshtë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

"S'ka asnjë bazë, asnjë arsye jo që të ekstradohet, por që të mbahet edhe më tutje në Slloveni", ka deklaruar Mustafa.

Ndalesa për Haradinajn në Slloveni, ka revoltuar zyrtarët më të lartë të partisë së tij në Kosovë. Zyrtarë të AAK-së, kishin dhënë edhe deklarata në formë ultimatumi se nëse Haradinaj nuk do të lirohej gjatë ditës, AAK do të ndërmerrte veprime radikale.

Po ashtu, të enjten pasdite, persona ende të paidentifikuar nga policia kanë sulmuar me mjete piroteknike Bankën NLB dhe operatorin e telefonisë mobile IPKO, të dy këto kompani sllovene që operojnë në Kosovë.

Përderisa Kuvendi i Kosovës, kishte miratuar edhe një rezolutë më të cilën ftoheshin autoritetet sllovene që të lejojnë kthimin e Haradinajt në Kosovë.

Në të kaluarën, Aeroporti i Lubjanës ka qenë një pikë ndalese edhe për udhëheqësit e tjerë të UÇK-së, sipas kërkesave të njëjta të Serbisë përmes Interpolit.

Aty ishin ndaluar edhe dy ish-kryeministrat e Kosovës dhe liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi e Agim Çeku, si dhe njëri prej komandantëve të UÇK-së, Fatmir Limaj.

Por, edhe atëherë që të gjithë ishin liruar më pas dhe nuk ishte diskutuar çështja e ekstradimit të tyre për në Serbi.

Ndryshe, numri i saktë i qytetarëve të Kosovës, kundër të cilëve Beogradi zyrtar ka lëshuar fletarrest nuk dihet. Prokuroria e këtij vendi asnjëherë deri më tash nuk ka dalë zyrtarisht me të dhëna për këtë numër.

Kosova nuk është ende anëtare e Interpolit dhe si e tillë, nuk mund të kërkojë e vetme shfuqizimin e fletarresteve të Serbisë, të cilat autoritetet në Kosovë në vazhdimësi i kanë cilësuar si të pavlefshme dhe politike.

Arsyeja e mosanëtarësimit të Kosovës në policinë ndërkombëtare, Interpol, por edhe atë evropiane, Europol, ka të bëjë me mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës nga së paku dy të tretat e vendeve anëtare të këtyre dy institucioneve ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG