Ndërlidhjet

Zbatimi i marrëveshjeve varet nga trysnia dhe kushtëzimi i BE-së


Ilustrim
Ilustrim

Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbetet i varur nga roli që luan Bashkimi Evropian në këtë proces, thonë përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile.

Që nga 19 prilli i vitit 2013 kur Prishtina dhe Beogradi me ndërmjetësimin e Brukselit arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve e cila rezultoi më pas me disa marrëveshje tjera, palët kanë dhënë vlerësime të ndryshme rreth zbatimit.

Në negociatat e Brukselit, palët nga Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje që nga njohja e diplomave universitare, por e cila nuk u zbatua asnjëherë, pastaj kthimin e kopjeve të kadastrit nga Serbia në Kosovë, e deri tek liria e lëvizjes, marrëveshja për sigurimin e automjeteve, ajo për kodin telefonik të Kosovës, energjinë e deri te marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, jo të gjithat janë zbatuar.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se po mos të kishte një trysni dhe kushtëzim nga Bashkimi Evropian ndaj Serbisë, zbatimi i marrëveshjeve do të ishte fare simbolik.

"Kushtëzimi i BE-së ndaj Serbisë në raport me dialogun e Brukselit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, është shprehur në kapitullin 35 i cili i është shtuar Serbisë në kuadër të kapitujve që duhet t'i negociojë për anëtarësim në BE. Aty thuhet qartë se duhet të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për të dyja shtetet në mënyrë që procesi të ecë drejt normalizimit të marrëdhënieve", ka thënë Tahiri.

Sa u përket marrëveshjeve veç e veç, ajo ka fajësuar Beogradin sidomos në lidhje me marrëveshjen për diplomat universitare, e cila sipas saj, nuk është zbatuar për arsye politike.

Kushtëzimi i zbatimit të marrëveshjeve vlen edhe për palën nga Kosova në këtë dialog.

Por, sipas ministres Edita Tahiri, Prishtina i ka zbatuar të gjitha kërkesat dhe tani pret që BE-ja të nënshkruaj Marrëveshjen e Stabizilim Asocimit si dhe të ketë lëvizje të pesë vendeve brenda kësaj strukture që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.

"Natyrisht që edhe ne jemi të kushtëzuar me këto procese. Por, ne i kemi plotësuar vazhdimisht dhe gjithmonë me një shkallë të lartë të efektivitetit si në kohë ashtu edhe cilësi. Ajo që dua ta them për këtë medium të rëndësishëm se presim përparime më të shpejta për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me BE-në. Edhe vet përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini e tha në takimin e 25 gushtit se nuk ka më pengesa, si dhe presim liberalizimin e vizave ", ka theksuar Tahiri.

Ndërkohë, edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se shkalla e zbatueshmërisë varet në mas të madhe nga roli i Bashkimit Evropian si lehtësues, por edhe garantues i marrëveshjeve.

Sipas tij, në shumicën e rasteve, kishte probleme në zbatimin e marrëveshjeve, për çka ai fajëson në radhë të parë Beogradin. Nisur nga ky qëndrim i Serbisë, Muhaxhiri thotë se vetëm një rol më i qartë i BE-së mund të ndikojë në zbatim dhe mos-devijim të këtij procesi.

"Shpresa e vetme është që BE-ja dhe më konkretisht Gjermania, ta kushtëzojnë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian me aplikimin, zbatimin e drejtë dhe pa probleme të marrëveshjeve. Pra, nëse nuk ka një presion nga BE-ja dhe vendet më të fuqishme evropiane ndaj Serbisë, atëherë gjithsesi që do të ketë probleme", ka theksuar Muhaxhiri.

Prej këtyre marrëveshjeve, Serbia zbaton në mënyrë të veçantë nga Kosova, atë për lirinë e lëvizjes, ku përfshihet edhe qarkullimi i mallrave e makinave.

Autoritetet serbe i detyrojnë qytetarët e Kosovës që për çdo kalim në territorin e Serbisë, tabelat e tyre të veturave me regjistrimin RKS, t'i zëvendësojnë me KS apo ato "prova", përderisa Kosova, nuk e zbaton një praktikë të tillë.

Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka paralajmëruar reciprocitet në këtë çështje, nëse pala serbe nuk tërhiqet nga zbatimi i njëanshëm.

Marrëveshjet me dy-kuptimësi, u japin palëve një hapësirë jo vetëm për interpretime të ndryshme, por edhe zbatim të ndryshëm.

Analisti Artan Muhaxhiri e sheh këtë si politikë që zbaton Bashkimi Evropian në rastet kur vendet kanë raporte jo të mira dhe nuk krijon negociata nga të cilat palët dalin si triumfuese.

"Shumica absolute e marrëveshjeve që bëhen në Ballkan dhe konkretisht në mes Kosovës dhe Serbisë janë paksa të mjegulluara dhe krijojnë hapësirë edhe për interpretime të ndryshme. Mirëpo shpresa e jonë e vetme është që të jetë një arbitër objektiv, që në këtë rast para duhet të jetë Brukseli", ka theksuar Muhaxhiri.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i këtij procesi është thënë të jetë normalizimi i marrëdhënieve midis dyja vendeve, duke përfshirë edhe rregullimin e çështjeve të pazgjidhura me integrimin e komunitetit serbë që jeton në Kosovë.

XS
SM
MD
LG