Ndërlidhjet

Gazetarët, telashe me jotransparencën e institucioneve


Ilustrim
Ilustrim

Mungesa e transparencës së institucioneve në raport me mediat dhe publikun është burim i konfuzionit dhe keqinterpretimeve në lidhje me disa prej zhvillimeve kryesore politike, thonë përfaqësues të mediave në Kosovë.

Sipas tyre, ndonëse vendi kaloi këta muajt e fundit nëpër disa zhvillime interesante e të rëndësishme siç ishte vendimmarrja për Gjykatën Speciale apo edhe marrëveshja me Beogradin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, institucionet, janë treguar të mbyllura dhe jo transparente.

Në këso situate, gazetarët flasin për Radion Evropa e Lirë dhe dëshmojnë se janë detyruar që të vijnë deri te informacionet përmes rrugëve tjera dhe burimeve që shfrytëzojnë.

Kryeredaktori i gazetës Express, që shfletohet në versionin 'online' (faqes në internet), Leonard Kërquki, thotë se procesi i vendimmarrjes rreth Gjykatës Speciale ishte jashtëzakonisht jotransparent, çka sipas tij, kishte krijuar një situatë mjaftë konfuze .

"Krijimi i Gjykatës Speciale ka qenë jashtëzakonisht jotransparent. Ndoshta për shkak të natyrës së çështjes, por edhe për faktin që task-forca ndodhej në Bruksel, arritja deri tek informacionet e sakta ka qenë e vështirë. Kjo i ka hapur rrugën shumë spekulimeve mediale, keqkuptimeve dhe një situate të turbullt", ka thënë Kërquki.

Por, në lidhje me Gjykatën Speciale, nga përvoja e tij si gazetar, flet edhe Besnik Krasniqi nga e përditshmja Koha Ditore.

Në mungesë të informacioneve zyrtare nga autoritetet, ai thotë se ka përdorur rrugë tjera për të ardhur deri te informacioni.

"Për shembull, amandamenti kushtetues dhe dy raporte shumë me rëndësi që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale i kemi siguruar prej burimeve brenda qeverisë e në të cilat raporte pranohet se po cenohet rendi juridik në Kosovë me këtë gjykatë", ka theksuar Krasniqi.

Menjëherë pas çështjes së nxehtë të themelimit të Gjykatës Speciale, tek mediat dhe opinioni kishte zgjuar interesim edhe marrëveshja e fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për Asociacionin e Komunave Serbe.

Gazetari dhe redaktori në Radio Televizionin Dukagjini, Arben Ahmeti, thotë se dialogu Kosovë - Serbi është shembull i shumë interpretimit, ku pala serbe, ajo nga Kosova dhe Bashkimi Evropian prezantojnë pikëpamjet e tyre pas çdo marrëveshje.

"Nëse e shohim marrëveshjen prej 21 pikëve i bie që palët janë marrë vesh për t'u marrë vesh një herë tjetër, sepse statuti e krijon asociacionin dhe kjo marrëveshje".

"Por, palëve u ka konvenuar që ta paraqesin si arritje të madhe dhe kështu e kanë transmetuar edhe në media. Edhe sa i përket procesit tjetër të krijimit të Gjykatës Speciale kishim një mbyllje totale të institucioneve të Kosovës, por edhe të institucioneve të Bashkimit Evropian me arsyetimin se janë hetime të ndjeshme dhe kësi soji nuk mund të bëjnë publike detaje", ka thënë Ahmeti.

Duke u ndalur tek çështja e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, Lenoard Kërquki, në anën tjetër thotë se është vërejtur që edhe mediat, qoftë në Kosovë apo Serbi, më shumë ishin ithtare të interpretimeve sesa të prezantimit të marrëveshjeve të arritura.

"Mediat në këtë rast kanë luajtur lojën e politikës, kanë qenë më shumë tifoz, fituam ne apo ata. kryesisht kjo ka qenë qasja e mediave si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Pak a shumë, mendoj se në të njëjtën linjë kanë qenë edhe analistët politik por edhe opinionbërësit në përgjithësi", ka thënë Kërquki.

Ndërkohë, Besnik Krasniqi ka vërejtur edhe një fakt tjetër në lidhje me marrëveshjet e fundit në dialogun e Brukselit. Nga katër marrëveshjet e arritura, Qeveria e Kosovës, sipas tij, ka prezantuar vetëm njërën, çka menjëherë zgjon kurreshtjen e medias dhe opinionit për lëshimet eventuale të bëra.

"Qeveria e Kosovës e ka publikuar vetëm marrëveshjen për asociacionin, kështu që ashiqare është vërejtur tendenca për t'i mbajtur sa më larg publikut lëshimet që janë bërë në Bruksel", ka thënë Krasniqi.

Si rezultat i mungesës së transparencës dhe komunikimit normal në vijën që lidh institucionet, mediat dhe publikun, krijohen më pas edhe paqartësitë, vlerëson Arben Ahmeti.

"Besoj që për Asociacionin ka shumë konfuzion, njësoj siç ka edhe për Gjykatën Speciale dhe kjo assesi nuk i kontribuon stabilitetit politik në vend dhe duhet ditur që shpesh herë ka pasur keqinterpretime të proceseve madhore, pikërisht për shkak të mungesës së transparencës", ka vlerësuar Ahmeti.

Sidoqoftë, jo vetëm institucionet në mandatin aktual, por edhe në të kaluarën, ato janë kritikuar nga mediat për mungesë të transparencës. Jo rrallë, qeveria qendrore apo edhe ato lokale janë vënë në theks të kritikave nga mediat për mungesën e komunikimit.

XS
SM
MD
LG