Ndërlidhjet

Maqedoni: 24 vjet me sfida


Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë

Maqedonia shënon të martën ditën e pavarësisë, dhe 24 vite ndarje nga ish-Jugosllavia, por vendi vazhdon të përballet me problemet e konsolidimit të shtetit, me çështje të hapura si brenda ashtu dhe jashtë saj.

Sfidat e brendshme kryesisht kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, mungesën e stabilitetit politik dhe para se gjithash, raportet ndëretnike që vazhdojnë të jenë të brishta edhe pas konfliktit të vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, që vlerësohej si dokument që do të forconte sovranitetin e shtetit.

Sfidat e jashtme kanë të bëjnë në radhë të parë me çështjet e hapura me shtetet fqinje, me Greqinë për çështjen e pa zgjidhur të emrit, me Bullgarinë për identitetin dhe Serbinë për çështjet kishtare.

Stojan Andov, ish kryetari i përbërjes së parë parlamentare e cila edhe miratoi aktin e pavarësisë së shtetit, thotë për Radion Evropa e Lirë se e ardhmja e shtetit mbetet e paqartë për shkak të paaftësisë për të zgjidhur të gjitha këto probleme.

Ai thotë se më parë ndoshta kishte më shumë demokraci se vitet e fundit, në veçanti gjatë qeverisjes së partive të tanishme.

“Unë mendoj se tani kemi demokraci më të kufizuar se më parë. Kjo vërtetë është brengosëse pasi edhe pas 24 viteve pavarësi ne vazhdojnë të përballemi me çështjet më elementare të funksionimit të institucioneve. Ne arritëm që përmes referendumit të vëmë themelet e shtetësisë, të anëtarësojmë vendin në organizatat relevante ndërkombëtare, por në shumë raste e çështje të hapura ne po dëshmojnë që pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar nuk mund të bëjmë asgjë“, thotë Andov duke bërë i bërë thirrje partive dhe faktorëve vendosës që të mendojnë për interesat e shtetit, e jo vetëm për ato personale apo partiake.

Sipas tij, prioritet i të gjitha palëve duhet të jenë interesat e qytetarëve dhe inkuadrimi i vendit në familjen evropiane. Por, kjo thotë Andov vështirë se do të ndodhë nëse vazhdohet me politikën aktuale.

“Po zhvillohet luftë e ashpër për të dëshmuar se kjo nuk është ashtu, apo se janë duke punuara për të mirën e vendit, por vlerësoj se ato po bëjnë të kundërtën. Kjo rezistencë do të vazhdoj , por ajo do të sjellë vetëm se probleme dhe pasoja më të mëdha për vendin".

"Ne kemi arritur rezultate, por ato janë të pamjaftueshme në krahasim se vendet tjera. Konsideroj se edhe Kosova e Bosnja ndodhen para nesh në rrugën drejt konsolidimit të shtetësisë. Nëse qasja nuk ndryshon ne nuk do të bëjmë asnjë hapa parë“, thotë Andov.

Gjatë 24 viteve pavarësi një ndër sfidat kryesore kanë qenë raportet ndëretnike. Shqiptarët kishin bojkotuar referendumin për pavarësi për shkak të konstatimit të partive politike se shteti po merrte ngjyrat e një shteti një etnik duke margjinalizuar bashkësitë tjera etnike e në ve1anti shqiptarët, si popullsia e dytë më e madhe në vend.

Jonuz Abdullahu, ish deputet, tani ligjërues i sistemit politik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë thotë se shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre duke filluar nga gjuha, simbolet, kultura, përfaqësimi e kështu me radhë.

Ai thotë se shqiptarët duhet të llogaritet faktorë vendosës pasi anashkalimi i tyre nuk do të kontribuojë në forcimin e shtetit të Maqedonisë.

“Për fat të keq pala maqedonase edhe pas 24 viteve pavarësi nuk pranon që shqiptarët të jenë partner në politikëbërje. Ende sundon një politikë nga e kaluara e monizmit që shqiptarët ende të trajtohet si jo të barabartë, të trajtohen si fajtor kujdestar për problemet që paraqiten në shtet. Kjo është pasojë e mosfunksionimit apo mënyra joadekuate e qeverisjes. E vetmja alternativë konsideroj se është që ne të jemi faktorë, të mos pranojnë statusin inferior, të mos pranojnë të jemi vetëm se dekor në kuvend, në qeveri dhe institucionet tjera shtetërore“, thotë Abdullahu.

Maqedonia është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, por disa shtete atë e njohim me referencës, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë për shkak të kontestit rreth emrit me Greqinë,

Ky kontest ka bërë që ajo të mos mund të nis bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian edhe pse statusin e shtetit kandidat e ka që nga viti 2005.

Ajo nuk është as anëtare e NATO-s, pikërisht për shkak të bllokadës nga ana e Greqisë. Njohësit e çështjeve politike druajnë se Maqedonia mund të kushtëzohet edhe nga shtet tjera nëse së shpejti nuk zgjidh problemet e hapura, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG