Ndërlidhjet

Rritet fluksi i migrantëve në Maqedoni


Migrantët në Maqedoni
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:06 0:00

Autoritetet në Maqedoni thonë se edhe gjatë së mërkurës pritet një valë e madhe migrantësh nga Lindja e Mesme. Ata theksojnë se janë duke u angazhuar maksimalisht që refugjatët të mos kenë pritje të gjata në kampin e Gjevgjelisë, afër kufirit me Greqinë, por që menjëherë të nisen me tren ose autobus në mënyrë të organizuar në kufirin me Serbinë.

Aleksandra Kraus, nga Komesariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara, kampin e refugjatëve në Gjevgjeli tha se të martën Maqedonia është përballë me valën më të madhe të refugjatëve gjatë muajve të fundit, duke kaluar shifrën mbi 7 mijë migrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e veriut.

“Gjatë 24 orëve të fundit [e martë] erdhën mëse 7.000 refugjatë. Ky qe një rekord i ri, sepse gjatë ditëve të kaluara pritëm rreth 3000 refugjatë. Kjo shifër më pas arriti në 5000 vetë gjatë ditëve të fundit. Dita e djeshme qe vërtetë e jashtëzakonshme".

"Qeveria, Ministria e Brendshme, po lëshon certifikata për ata që duan të paraqesin kërkesë për azil. Ky dokument lejon qëndrimin në përputhje me ligjin 72-orë në këtë vend, për t’u regjistruar e aplikuar për azil. Gjatë këtyre 72 orëve refugjatët mund të përdorin transportin publik pa shkelur ligjin”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë përfaqësuesja e UNHCR-it Aleksandra Kraus.

Ndërkaq, Jasmin Rexhepi, drejtues i organiztaës joqeveritare LEGIS për Radion Evropa e Lirë thotë se organizatat humanitare kanë kapacitet për të siguruar ndihmë në ushqim dhe mjete sanitare vetëm për 3,000 persona, mbi 4 mijë të tjerë s'kanë arritur të marrin kurrfarë ndihme përderisa kanë kaluar territorin e Maqedonisë tranzit.

“Ndihma humanitare nuk do të mund të arrijë te të gjithë nëqoftëse vazhdon hyrja e migrantëve në Maqedoni me këtë intensitet, pasi që kapacitet tona na mundësojnë të furnizojmë vetëm 3,000 persona në ditë. Mbase dhe autoritetet zyrtare do të duhet të kyçen në sigurimin e gjërave elementare, sepse ata vijnë të lodhur, dhe kanë nevojë të paktën për pak ushqim dhe ujë sa për të kaluar ditën”, thotë Rexhepi.

Migranët të cilët hyjnë në territorin e Maqedonisë pikë-synim e kanë arritjen në Gjermani, ku shpresojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë.

Ahmad, i cili ka udhëtuar më shumë se dy javë bashkë me të ëmën thotë se ka qenë e vështirë rruga nga Afganistani deri në Maqedoni.

“Unë jam nga Afganistani. Po vijmë këtu sepse gjendja në vendin tim nuk është aspak e mirë. Ka gjithnjë trazira. Do të shkoj në Gjermani. Sepse ka shkuar edhe kunati im; kjo me mua është mamaja ime. Do të hipi në tren për të shkuar në Gjermani ...”, thotë Ahmad.

Faorhudini, është 22 vjeçar nga Siria. Familjen e ka lënë në vendlindje, ndërkohë që udhëton me shokë, me shpresë që të vazhdojë studimet në inxhinieri.

“Dua të shkoj në Gjermani. Do më pëlqente të vazhdoja studimet. Do doja ta ndryshoja jetën time. Unë studioja për inxhinieri, po nuk munda t’i vazhdoja dot studimet për shkak të problemeve në vendin tim”, thotë Faohrudin.

Neijazi nga Siria, me bashkëshorten e tij e cila është shtatzënë, thotë se këtë rrugë të mundimshme e ka marrë sepse në vendlindjen e tij është bërë e pamundur jeta nga luftimet dhe shkatërrimet që ka pësuar qyteti i tij.

“Jam nga Siria. Do shkojmë në Gjermani. Kam profesionin e mjekut. Dua të vazhdoj studimet. Kjo është ime shoqe, është shtatzënë. Gjendja në Siri është tepër e keqe. Gjendja atje është vërtet shumë e rëndë. Ndaj duam të shkojmë në Gjermani, që të vazhdoj studimet”, thekson Neijazi.

Nga Maqedonia, migrantët vazhdojnë rrugëtimin drejt Serbisë, për të arritur deri në Hungari, prej nga përmes Austrisë, mëtojnë të arrijnë në Gjermani.

XS
SM
MD
LG