Ndërlidhjet

Policia hungareze i sprapsë me dhunë refugjatët në kufi


Përleshje mes policisë dhe refugjatëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Përleshje mes policisë dhe refugjatëve [VIDEO REUTERS]

Në vendkalimin kufitar ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, “Horgosh 2” janë ngritur tensionet kur një grup i refugjatëve, kryesisht nga Siria dhe Afganistani, kanë tentuar ta shpërthejnë rrethojën e metaltë të cilën autoritetet hungareze e kanë vendosur për të bllokuar hyrjen e refugjatëve në territorin e tyre.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i sprapsur refugjatët. Tensionet kanë zgjatur deri në orët e para të mbrëmjes të së mërkurës.

Në vendngjarje janë parë një numër i refugjatëve të përgjakur, si dhe sy të ënjtur nga lotsjellësi, si pasojë e përplasjes më policinë hungareze.

Rrethoja e metaltë në “Horgosh 2” tashmë është e padukshme dhe aty po qëndrojnë kordonë të policisë hungareze. Në anën tjetër, policia serbe i ka lutur refugjatët që të largohen nga zona dhe të mos hyjnë në konflikt me policinë hungareze.

Zona është dukë u mbikëqyrur nga helikopterët, ndërkohë që policia hungareze ka sjellë aty dhjetëra automjete të blinduara dhe në mënyrë të hapur i ka kërcënuar refugjatët se do ta përdorë dhunën në qoftë se ata përpiqen të hyjnë në Hungari.

Duke ikur nga lotsjellësi, refugjatët janë tërhequr rreth 50 metra nga punkti kryesor në “Horgosh 2”. Në mesin e refugjatëve ka qindra gra dhe fëmijë.

Ndërkaq, vendkalimi kufitar kryesor, ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, Horgoshi, edhe më tutje mbetet i mbyllur.

Ushtria dhe policia hungareze gjatë ditës kanë sjellë përforcime si dhe kanë vendosur kamera dhe reflektorë për mbikëqyrje.

Shumica e refugjatëve, të cilët po qëndrojnë në të ashtuquajturën “tokë e askujt” në vendkalimin kufitar kryesor “Horgosh”, janë të revoltuar me qëndrimin gjithnjë e më të qartë të autoriteteve hungareze, se nuk do t’i lejojnë të kalojnë në territorin e tyre.

Refugjatët po bartin mbishkrime “Merkel, ndihmoju sirianëve” dhe “Turpërohu Evropë”.

Një djalosh, në shpinën e tij kishte shkruar “Po vdesim”.

Në të njëjtën kohë, disa refugjatë kanë pranuar që me autobusë, të cilët autoritetet e Serbisë i kanë dërguar në Horgosh, të kthehen në qendrën e pranimit në Kanjizhë, në afërsi të Horgoshit.

Ata po shpresojnë se nga aty do të kenë sukses të shkojnë në Shid dhe të kalojnë në Kroaci.

Itinerari i ri nëpër Kroaci, tashmë është një nga temat kryesore që bisedohet ndërmjet refugjatëve. Disa prej tyre i pyesin gazetaret dhe vullnetarët që kanë shkuar t’i ndihmojnë, se sa është larg Shidi, a i pret edhe atje rrethoja e metaltë dhe a mund të hynë në Kroaci.

Një i ri nga Siria, i cili ashtu sikurse edhe disa refugjatë tjerë, ishte nisur të hipte në autobus, tha se do t’ia mësynte Kroacisë.

“Është problem i madh nëse qëndrojmë këtu. Po vijnë njerëz të tjerë, ndërkaq nuk ka as ushqim e as ujë. Po shkojmë deri në Kroaci ose Slloveni. Kjo është rruga jonë përmes Kroacisë. Po shpresojmë që atje do të na lejojnë të hymë”, tha i riu.

Melita Shunjiq nga Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara (UNHCR), ka theksuar se situata në Horgosh po ndryshon në mënyrë konstante. Ndërkohë që ata po u bëjnë thirrje refugjatëve që të shkojnë në Kanjizhë, për shkak se aty ka kushte më humane se sa në kufi.

“Shikoni, ka shumë njerëz më fëmijë të vegjël, ka shtatzëna, ka edhe invalid në karroca. Atyre duhet t’iu ofrohen kushte tjera. Ato i kanë në Kanjizhë dhe për këtë arsye po i lusim që të shkojnë atje”, tha Shunjiq dhe shtoi:

“Shpresojmë që Bashkimi Evropian, të gjitha shtetet e saj, më në fund ta marrin përgjegjësinë e tyre ndaj azilit dhe ndaj atyre që po kërkojnë mbrojtje”, theksoi Shunjiq.

Një refugjat tjetër nga Siria, ka shpjeguar se të qenit refugjat nuk ka qenë zgjidhja që ka dëshiruar.

“Çfarë do të bëje ti? Unë duhet të bëj diçka. Ne nuk kemi dashur të jemi refugjatë. Deri para 5 vjet, ne kemi qenë njerëz normal. Unë jam elektro-inxhinier. Kam pasur punë. Familja më ka mbetur në Damask. Jam detyruar t’i lë dhe kjo më dhemb shumë. Nuk jam i lumtur pse jam këtu dhe në vazhdimësi më refuzojnë. Ne jemi njerëz”.

“Ndoshta do të gjejnë mirësi në zemrat e tyre dhe do të na lejojnë të kalojmë. Disa nga këta njerëz kanë shitur shtëpitë e tyre që të shkojnë në Evropë. Nuk kanë më para. Lufta 5 vjeçare na ka rraskapitur të gjithëve. Kjo dhemb shumë dhe nuk di çfarë të them tjetër, përveç asaj se duhet t’i lejojnë këta njerëz që të kalojnë tutje”, tha siriani.

Një bashkatdhetar i tij, theksoi se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër, përveç se të nisen në këtë rrugë.

“Disa e përkrahin njërën palë në konfliktin në Siri, e disa të tjerë palën tjetër. ne jemi gjetur ndërmjet armëve. Është dashur të vendosim se a do të vdesim nga bombat ose në barkat ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. Kemi zgjedhur këtë të dytën dhe mbijetuam”, tha i riu nga Siria.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG