Tenistja ruse, Maria Sharapova, është sportistja që është paguar më se shumti gjatë dekadës së fundit, ka shpallur mbrëmë revista Forbes.
Ky konstatim është mbështetur në të ardhurat e tërësishme të sportistëve, përfshirë edhe ata të pensionuarit, në periudhën 2005 – 2015.
Maria Sharapova, me shtetësi të Rusisë, që jeton në Shtetet e Bashkuara, është e vetmja sportiste në këtë listë dhe ajo plasohet në vendin e 18-të.
Të ardhurat e saj gjatë 10 viteve të fundit vlerësohet se ishin 250 milionë dollarë.
Vendin e parë në këtë listë e ka golfisti amerikan, Tiger Woods, i cili në këtë periudhë i ka fituar 845 milionë, pastaj radhitet boksieri amerikan, Floyd Mayweather, me 660, ndërsa në vendin e tretë është ylli i basketbollit, Kobe Bryant, me 475 milionë.