Ndërlidhjet

Maqedoni: Përpjekje e ngathtë për marrëveshje politike


Ilustrim
Ilustrim

Partitë politike në Maqedoni vazhdojnë me taktizimet dhe akuzat ndaj njëra-tjetrës për atë se kush është fajtor për dështimin e bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes politike, ndërkohë që vendi si asnjëherë më parë rrezikon humbjen e rekomandimit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këtë disa herë e kanë përsëritur përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë, duke kërkuar nga partitë, e në veçanti nga qeveria, përkushtim në zbatimin e obligimeve të marrëveshjes politike.

Por, nga VMRO-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski, thonë se nuk ndihen fajtor për dështimin e bisedimeve, para së gjithash për kompetencat e ministrave në qeverinë kalimtare dhe ngecjet në konsolidimin e ekipit të prokurores speciale, Katica Janeva, që duhet të nisë me hetimin e asaj që njihet si aferë e përgjimeve që edhe ka nxitur krizën e rëndë politike.

Kryeministri Gruevski ka pranuar se vendi gjendet para sfidave të mëdha, por pa dhënë detaje mbi pasojat, apo përgjegjësinë e tij që kërkohet, jo vetëm nga faktori i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar.

“Republika e Maqedonisë gjendet para sfidave të shumta në fusha të ndryshme. Përgjigja ndaj këtyre sfidave varet nga politikanët. Politikat e mira gjithmonë janë të lidhura me politikanët e mirë, me njerëz me ndjenja, njerëz me vizion, njerëz që dinë të realizojnë qëllimet që i kanë vendosur vetes”, ka deklaruar Gruevski.

Me këto vlerësime nuk pajtohet opozita, e cila për të gjitha dështimet, por edhe pasojat për vendin, gishtin e drejton kah kryeministri Nikolla Gruevski.

Është më se e qartë se kush nuk është konstruktiv në gjithë këtë periudhë dhe për se nuk kemi arritur të zbatojmë marrëveshjen. Ne, nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa të respektohet ajo që është nënshkruar në marrëveshje. Fajtor për gjendjen e krijuar dhe pasojat, me të cilat do të përballet Maqedonia është pushteti aktual me në krye Nikolla Gruevskin”, ka deklaruar, Oliver Spaspovski nga Lidhja Social-Demokrate e opozitës.

Përfaqësuesit ndërkombëtar, ndërkohë vazhdojnë me thirrjet për zbatimin e marrëveshjes politike, e cila u arrit me ndërmjetësimin e komisionarit për zgjerim, Johanes Hahn.

Ata nuk e përjashtojnë mundësinë që Maqedonia të humbë rekomandimin për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Bojan Mariçiq nga Qendra maqedonase për edukim evropian, thotë se nëse kjo ndodh, do të ishte shumë e dëmshme për vendin.

“Kjo nënkupton që vendi të humbë në një afat sa më të gjatë shanset për negociata, por edhe të ardhmen evropiane. Kjo do të nënkuptonte, gjithashtu, thellimin e krizës politike, radikalizimin e gjendjes në aspektin politik, por nuk do të mungojë as presioni i qytetarëve".

"Kështu që, Maqedoninë nuk e pret asgjë e mirë në rast të dështimit të shansit të dhënë për perspektivën evropiane, e kjo mund të arrihet vetëm nëse politikanët ndërgjegjësohen dhe respektojnë atë për të cilën janë marrë vesh”, thotë Mariçiq.

Por, Albert Musliu, njohës i çështjeve politike thotë se partitë më tepër taktizojnë për të fituar pikë politike, pasi beson se në momentin e fundit ato do ta zbatojnë marrëveshjen.

Por, nëse ndodh e kundërta, ai parasheh skenar jo të mirë për Maqedoninë.

“Unë mendoj se pavarësisht lojës politike, të cilën e bëjnë që vlerësoj se është pjesë e strategjisë së tyre mediatike, pasi edhe ata e dinë se marrëveshja politike e Përzhinos, alternativë nuk ka dhe pavarësisht blerjes së kohës, ato në fund do ta kapërcejnë edhe këtë bllokadë. Por, nëse marrëveshja politike dështon, Maqedonia do të ketë pasoja shumë të rënda si në relacionin me partnerët tanë ndërkombëtar, ashtu edhe në skenën e brendshme politike”, vlerëson Musliu.

Pas dështimit të bisedimeve, ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedime, Piter Vanhojt, ka udhëtuar për konsultime në Bruksel, ku nga mesi i javës së ardhshme pritet të publikohet raporti i progresit. Ai pritet të marrë instruksione se çfarë masash të ndërmerren tani pas skadimit të afateve për zbatimin e asaj që njihet si “Marrëveshja e Përzhinos”.

Në lojë janë të gjitha opsionet, përfshirë edhe sanksionet ndaj atyre politikanëve që pengojnë zbatimin e marrëveshjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG