Ndërlidhjet

Edhe kryeministri slloven paralajmëron konflikt në Ballkan


Kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar.
Kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar.

Kriza me migrantë që ka përfshirë Evropën, kërcënon të ringjallë konfliktet midis ish-republikave jugosllave, që kanë luftuar me njëra-tjetrën gjatë viteve ’90, ka thënë të martën kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar.

Qindra mijëra migrantë, shumica të ikur nga konfliktet në Siri dhe Afganistan, kanë marrë këtë vit rrugën e Ballkanit nga Greqia, për të arritur në Evropën Perëndimore.

Situata është përkeqësuar kur Hungaria ka mbyllur kufirin e saj jugor për migrantët, më 16 tetor, duke devijuar rrjedhën e rreth 135,000 njerëzve nga Kroacia në Slloveni.

Vendet kanë akuzuar njëra-tjetrën për mosregjistrim të refugjatëve ose mosshpërndarje të informacioneve.

“Nëse kriza me migrantë nuk kontrollohet në mënyrë të duhur, ashtu siç është rënë dakord në samitin e Brukselit, ka mundësi të shpërthejnë situata konfliktuoze midis shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Cerar në një konferencë për media.

“Ka mundësi që një konflikt i vogël të nisë një reagim më të gjerë për shkak të historisë në këtë rajon”, ka shtuar Cerar.

Ai po ashtu ka thënë se BE-ja duhet të kontrollojë më mirë kufirin e jashtëm në Greqi.

Deri më tash, këtë vit, në Evropë kanë arritur mbi 700,000 migrantë.

Lexoni edhe këtë:

Merkel: Në Ballkan mund të shpërthejnë luftime

XS
SM
MD
LG