Ndërlidhjet

Selektimi i migrantëve, nxit pakënaqësi dhe protesta


Kufiri Maqedoni - Greqi...
Kufiri Maqedoni - Greqi...

Gjendja në pjesën jugore të Maqedonisë, në kufirin me Greqinë, vazhdon të jetë e tendosur nga protestat e migrantëve të shumtë që nuk lejohen të hyjnë në Maqedoni.

Bëhet fjalë për disa mijëra persona që vijnë nga vendet ku nuk ka vatra lufte, por që ikin nga shtetet e tyre për shkak të kushteve të rënda jetësore, andaj edhe nga autoritetet quhen si migrantë ekonomikë.

Ata nuk lejohen të hyjnë në Maqedoni nga frika se mund të mbeten në territorin e saj, pasi rrugëtimi i tyre përfundon në kufirin me Serbinë, meqë autoritetet e atjeshme refuzojnë pranimin e tyre, po ashtu nga frika e mbetjes së tyre në territorin e saj.

Revolta e migrantëve është përshkallëzuar pas nisjes së punimeve për vendosjen e gardhit me gjemba.

Ata kanë sulmuar policinë dhe për pasojë 18 pjesëtarë kanë marrë lëndime të lehta trupore.

Një migrant nga Bangladeshi, thotë se ai dhe shumë të tjerë po përballen me probleme të shumta dhe mungesë të kushteve që e kanë vështirësuar edhe më shumë gjendjen e tyre shëndetësore të rënduar nga rrugëtimi i gjatë.

“Po flemë në kufi, ka shumë njerëz dhe ata janë në gjendje shumë të rëndë, por ne jemi të vendosur që këtu të qëndrojmë derisa të na lejojnë për të vazhduar rrugën, pasi nuk kemi se ku të shkojmë”, shprehet ai

“Unë jam nga Afganistani dhe jam nisur për Austri. Në vendin tonë jeta nuk është e sigurt dhe veç kësaj, jetojmë në kushte shumë të rënda, andaj edhe jemi nisur për një jetë më të mirë”, thotë një tjetër migrant.

Sipas trupit qeveritar për menaxhimin e krizës me migrantët, “forcat e sigurisë janë të obliguara me Kushtetutë që ta ruajnë dhe mbrojnë kufirin dhe këtë, siç thuhet në njoftim, po e bëjnë me shumë sukses.

“Ato, gjithashtu, po sillen në mënyrë shumë humane me migrantët, pasi humaniteti dhe siguria janë të pandashme. Me vendosjen e barrikadave prej telit me gjemba, ka nisur zbatimi i vendimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për ndërmarrjen e masave taktike - orientimin e migrantëve drejt punkteve të kontrollit, me qëllim sigurimin dhe trajtimin e tyre të mëtejmë”, vlerëson Komiteti për menaxhimin e krizës me migrantë.

Por, ndryshe vlerësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë. Ata thonë se migrantët duhet të pranohen, pavarësisht shkaqeve të largimit nga vend i tyre.

“Ndarja e refugjatëve në ekonomik ose të tjerë, apo në bazë të shtetësisë, është e pranuar si veprim në bazë të konventave ndërkombëtare për seleksionimin e tyre, por kjo masë duhet zbatohet vetëm pasi të bëhet strehimi i tyre, pra jo në rrugë. Është e papranueshme që selektimi të bëhet në rrugë”.

“Në vende të ndryshme ata strehohen dhe më pas vijon faza tjetër e trajtimit, pra edhe këta janë kategori i refugjatëve. Vlerësoj se edhe ky hap është në kundërshtim me të drejtën e lëvizjes s kategorive që janë në rrezik”, thotë Bashkim Selmani, ekspert i së drejtës penale dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Migrantët që kalojnë nëpër Maqedoni apo që janë të vendosur në qendrën e pranimit në Gjevgjeli, pranë kufirit me Greqinë, po gjejnë mbështetjen e shumë organizatave joqeveritare.

Një nga to është edhe “Legis”, drejtuesi i së cilës, Jasmin Rexhepi, thekson nevojën e zgjidhjes së shpejtë të krizës me këtë kategori të migrantëve.

“Gjendja është e tendosur, pasi së fundi kishte edhe disa incidente të vogla kur një grup i migrantëve dëshironte të kalonte me forcë në Maqedoni. Skenat e tilla nuk janë të mira dhe për këtë unë nuk do ta fajësoja Maqedoninë, pasi të gjitha shtetet veprojnë njëjtë”.

“Problemi vlerësoj se qëndron te shtetet e BE-së, të cilat refuzojnë pranimin e tyre dhe, rrjedhimisht, të gjitha shtetet në formë zinxhiri, bëjnë të njëjtën nga frika që ata të mos mbeten në territorin e tyre. Ndërkohë, migrantët duhet të kenë trajtim njerëzor, ata nuk duhet të lihen nën qiell të hapur, në veçanti tani në stinën e dimrit, kur ka rënie të temperaturave dhe reshje të pandërprera atmosferike”, thekson Rexhepi.

Në kufirin me Greqinë, për të hyrë në Maqedoni, besohet të jenë disa mijëra migrantë nga vendet ku nuk ka luftime, por që ikin për arsye ekonomike, ndërkohë që numri i të tjerëve nga vatrat e luftës, ditëve të fundit ka shënuar rënie.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, në pesë muajt e fundit nëpër Maqedoni kanë kaluar rreth 300 mijë migrantë, por ky numër besohet të jetë më i lartë, pasi shumë të tjerë kanë hyrë në mënyrë ilegale, për t’u ikur procedurave të regjistrimit.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG