Ndërlidhjet

Ende asnjë propozim për kryeministër të Maqedonisë


Ilustrim
Ilustrim

Deri në zgjedhjen e qeverisë së re kalimtare në Maqedoni, me kryeministër të ri, kanë mbetur edhe dhjetë ditë. Ende nuk dihet se kush do të jetë pasardhësi i kryeministrit në largim, Nikolla Gruevski, i cili në bazë të marrëveshjes politike duhej të dorëhiqej deri në fund të muajit të kaluar.

Me gjasë kjo gjë do të dihet nga mesi i javës së ardhshme, kur për vizitë në Maqedoni pritet të arrijë komisionari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, me qëllim të inspektimit të zbatimit të marrëveshjes, e në veçanti zgjedhjen e qeverisë së re.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka thënë se do ta respektojë marrëveshjen dhe se qeveria e re do të zyrtarizohet më 15 janar. Pa dhënë detaje për pasardhësin e tij, Gruevski ka thënë se kryeministri i ri do të propozohet nga organet drejtuese të partisë.

Në fakt, në bazë të marrëveshjes, kandidati për kryeministër i takon partisë VMRO-DPMNE, ndërsa dy nga postet kryesore të ministrave, ai për punë të brendshme dhe ai për punë e politika sociale, si dhe katër zëvendësministra me kompetenca të veçanta, janë nga radhët e LSDM-së opozitare dhe zgjedhja e tyre tanimë është bërë në Kuvend.

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni thonë se kryeministri i ri duhet jetë personalitet i pa komprometuar, apo një intelektual i mirëfilltë e pa ngarkesa politike.

“Konsideroj që kryeministri i ri do të ishte mirë që të mos ishte njeri i njohur për publikun, në kuptimin që të ishte një fytyrë e re publike e cila do ta shpinte vendin përpara drejt zgjedhjeve korrekte dhe demokratike. Do të ishte mirë që ky person të kërkohej në mesin e intelektualëve, të cilët nuk kanë përgjegjësi apo poste partiake”, thotë Sefer Tahiri, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Tahiri është i bindur se Nikolla Gruevski edhe më tej do të jetë ai që do ta dirigjojë qeverinë, por tani si kryeministër nën hije.

“Mbetem me qëndrimin se kryeministër faktik edhe pas 15 janarit do të jetë Nikolla Gruevski. Pra, kryeministri i ri do të jetë nën hijen e tij politike dhe ai vetëm se do të zbatojë urdhrat e Gruevskit, i cili gjatë viteve të qeverisjes me vendin ka dëshmuar se ka dëshirë të veprojë me diktat politik”, thotë ai.

Edhe Temelko Ristevski, profesor i sistemit politik në Universitetin Fon të Shkupit, nuk beson se kryeministri i ri do të jetë njeri pa ndikime politike.

“Duke marrë parasysh sjelljen e deritashme të VMRO-DPMNE-së, e cila interesat partiake i vendosë mbi interesat e tjera, pra interesat e garniturës qeveritare dhe shumë pak interesat e qytetarëve, unë mendoj se kjo patologji do të vazhdojë edhe në të ardhmen. VMRO-ja do ta propozojë një njeri që para se gjithash do ta mbrojë këtë parti. Nuk jam optimist se do të jetë ndryshe”, thotë Ristevski.

Kryeministri në largim i Maqedonisë, Nikolla Gruevski
Kryeministri në largim i Maqedonisë, Nikolla Gruevski

Largimi i kryeministrit aktual, Nikolla Gruevski, është pasojë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve, e cila shkaktoi krizën politike në Maqedoni. Bëhet fjalë për skandalin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve, të publikuara nga opozita, e të cilat, sipas saj, dëshmojnë përfshirjen e kryeministrit dhe të zyrtarëve të tjerë në krime të rënda.

Këto akuza janë hedhur poshtë nga Gruevski, i cili ka akuzuar opozitën për puç shtetëror. Megjithatë, pas presioneve të vazhdueshme dhe ndërhyrjes nga jashtë, ai u detyrua të negociojë arritjen e një marrëveshjeje me opozitën, për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, që duhet të mbahen më 24 prill.

Roli i qeverisë kalimtare do të jetë organizimi i këtyre zgjedhjeve në atmosferë të lirë dhe demokratike, në mënyrë që rezultati i tyre të jetë i pranueshëm nga të gjitha partitë.

XS
SM
MD
LG