Ndërlidhjet

Papunësia, preokupim i njejtë edhe pas tetë vjet shtet


Ilustrim
Ilustrim

Tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, papunësia sipas të dhënave zyrtare thuhet se ka shënuar rënie, kurse në realitet ky mbetet shqetësimi dhe problemi kryesor i qytetarëve.

Në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, mbi 43 për qind ka qenë shkalla e papunësisë, ndërkaq pjesa më e madhe e të papunëve kanë qenë të rinjtë.

Që nga ajo periudhë, statistikat zyrtare nuk ndryshojnë shumë, ku sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2014, thuhet se shkalla e papunësisë është 35.8 për qind.

Mbi 61 për qind e të papunëve janë të moshës prej 16 deri në 24 vjeç.

Por, këto shifra vazhdimisht kanë qenë dyshuese apo edhe të manipuluara për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Sipas të dhënave të kësaj sindikata shkalla e papunësisë ka qenë dhe mbetet mbi 50 për qind.

Nënkryetari i kësaj sindikate, Alush Sejdiu, shprehet se procesi i privatizimit ka rritur shkallën e papunësisë. Ndërkaq, në periudhën prej pavarësisë, autoritetet kompetente, sipas tij, nuk kanë pasur plane konkrete për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Problemi qëndron se nuk kemi strukturim të ekonomisë, nuk kemi plan strategjik për zhvillimin ekonomik, nuk kemi plan strategjik për zhvillimin dhe mbështetjen e sektorëve të cilët do të krijojnë vende të reja të punës, sidomos sektori i bujqësisë, edhe pse kohëve të fundit ka një përmirësim”, thotë Sejdiu

Papunësia mbetet me të njëjtat shifra si para shpalljes së pavarësisë dhe pas saj, thonë edhe ekspertë për çështje ekonomike.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, (GAP) Agron Demi, duke iu referuar statistikave të Agjencisë së Statistikave, shprehet se nuk ka vende të reja të punës, por ka ndërrim të metodologjisë për për llogaritjen e papunësisë.

"Agjencia e Statistikave të Kosovës ka ndërruar metodologjinë dhe në bazë të metodologjisë së re, shkalla e papunësisë është 35 për qind. Por, nëse do të përdorej metodologjia e vjetër, ashtu siç ka qenë deri në vitin 2009, niveli i papunësisë do të ishte 45 për qind".

"Do të thotë se edhe pas shpalljes së pavarësisë, edhe pas marrjes së kompetencave nga institucionet vendore, edhe pas disa vitesh pritje dhe premtimeve se pas shpalljes së pavarësisë gjithçka do të jetë më mirë, prap niveli i papunësisë mbetet i njëjtë”, ka thënë Demi për Radion Evropa e Lirë.

Demi madje tregon se ekzistojnë faktorë të shumtë të cilët kanë ndikuar në mosarritjen e krijimit të vendeve të reja të punës.

“Në rend të parë Kosova është vend i vogël me një ekonomi të pazhvilluar, pastaj anëtarësimi në organizatat për tregti të lirë, ka bërë që prodhimi vendor të vuajë nga konkurrenca jo e drejtë nga vendet tjera".

"Problem tjetër është kualiteti i edukimit. Kosova po përgatit kuadro të cilat janë të kualifikuar për punë publike apo punë në zyre, por, jo kuadro të cilat janë të afta për vende të punës që krijojnë zhvillim ekonomik, për shembull inxhinier apo fusha tjera teknike”.

Si pasojë e shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë në nivel të lartë paraqitet edhe varfëria. Sipas statistikave zyrtare për vitin 2011, varfëria e përgjithshme është afër 30 për qind, kurse varfëria ekstreme është 10 për qind.

XS
SM
MD
LG