Ndërlidhjet

Çështjet ekonomike, sfidë për gjyqtarë dhe prokurorë


Ilustrim (©Shutterstock)
Ilustrim (©Shutterstock)

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike në Prishtinë, vlerësojnë se gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët merren me konteste ekonomike, kanë nevojë për avancim të njohurive profesionale.

Sipas tyre, këta persona kanë nevojë për më shumë njohuri për fushat specifike të ekonomisë, siç janë transferet, krimet financiare, kontabiliteti, në mënyrë që rastet të trajtohen si duhen.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se ky asociacion ekonomik ka kërkuar që gjyqtarët dhe prokurorët që merren me probleme ekonomike, duhet të kenë më tepër njohuri si në terminologji, ashtu edhe për problemet tjera ekonomike.

“Me vetë faktin se aktualisht janë duke u zgjidhur lëndët e vitit 2007- 2008, kurse jemi në fillim të vitit 2016, po shihet sa larg dhe sa afër jemi realizimit të të qenët shtet ku sundon rendi dhe ligji".

"Në këtë drejtim, e kemi parë të arsyeshme që të kërkojmë ndihmë që arbitrazhi në Odën Ekonomike të Kosovës, të jetë sa më i fuqishëm, pasi kemi raste, të cilat do të zgjidhen, sepse vendimet e arbitrazhit duhet të jenë drejtpërdrejt të pranuara në Gjykatën ekonomike”, thotë Gërxhaliu.

Por, drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara (GAP), Agron Demi, mendon se si në rastet e organit shqyrtues të prokurimit publik, ashtu edhe në gjykata dhe prokurori, ekziston një mungesë e ekspertizës për fusha të ndryshme, të cilat shkojnë për gjykim në gjykatat vendore apo për shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit publik.

“Janë shumë gjëra të komplikuara, për të cilat prokurorët dhe gjyqtarët nuk janë të specializuar që t’i trajtojnë. Për shembull, fusha më e komplikuar që është paraqitur te gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët nuk kanë arritur dhe në shumicën e rasteve të gjykimit kanë shkuar në favor të të pandehurve, kanë qenë ato kur ata nuk i kanë njohur, si bastet 'online' apo transferet e mëdha financiare, për të cilat kërkohet një ekspertizë, e të cilën gjykatat dhe prokurorët nuk e kanë”, thotë Demi për Radion Evropa e Lirë.

Mangësitë e evidentuara, sipas Agron Demit, shtrojnë nevojën e trajnimitmë profesional, sidomos për prokurorët. Po ashtu, ai preferon se duhet angazhuar njerëz, të cilët i njohin këto fusha specifike me qëllim që rastet e krimeve të organizuara, sidomos të krimeve financiare, të trajtohen si duhen në gjykatat vendore.

Instituti Gjyqësor i Kosovës ka organizuar disa trajnime për gjyqtarët e Departamentit për Çështje Ekonomike gjatë vitit 2015, ku janë trajtuar aspekte nga e drejta ekonomike.

Valon Jupa, udhëheqës i Programit për Trajnime të Vazhdueshme, në këtë institut, tregon çështjet që janë trajtuar në 17 trajnime vetëm gjatë vitit të kaluar.

“Teknologjia e informacionit, proceset biznesore dhe ligji, kontrata e ndërtimit dhe kontestet ekonomike, kontabiliteti - një sfidë për gjykim të drejtë, provat dhe të provuarit në konteste ekonomike, konteste ekonomike nga fusha e sigurimeve, e drejta e autorit, patenta, proceset e tatimit, biznesi, kreditë dhe institucionet financiare, parimet ekonomike të së drejtës komerciale, procedura përmbarimore ndaj subjekteve tregtare, procedura e falimentimit’’, bën të ditur Jupa.

Duke parë vonesat që po paraqiten me rastin e zgjidhjes së kontesteve ekonomike, dy subjekte ekonomike në Kosovë, Oda Ekonomike dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, tashmë kanë krijuardy qendra të arbitrazhit.

Këto qendra, sipas përfaqësuesve të tyre, po iu ofrojnë subjekteve private zgjidhjen e kontesteve biznesore shumë më shpejt sesa Gjykata Ekonomike në Prishtinë apo gjykatat tjera kompetente.

XS
SM
MD
LG