Ndërlidhjet

Ekspertët akuzojnë Ivanovin se ka rrënuar sistemin e drejtësisë


Vendimi i presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të falur të gjithë politikanët dhe personat e tjerë të dyshuar nga Prokuroria Speciale për vepra të rënda, si falsifikim të zgjedhjeve, shkatërrim të aparaturave me të cilat janë kryer përgjimet, pedofili, keqpërdorime financiare, e shpërdorime tjera të detyrës zyrtare, nga njohësit e çështjeve juridike vlerësohet si rrënim i tërësishëm i sistemit të drejtësisë në vend.

Bajram Pollozhani, ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vendime të tilla nuk janë miratuar as edhe në një vend tjetër të botës, që presidentit, gjykata t'i jep të drejtën të falë persona të dyshuar për veprime kriminale, pa pasur asnjë epilog gjyqësor.

Ai thotë se presidenti mund të falë persona, por vetëm pasi të ketë një vendim gjyqësor nga organet e drejtësisë. në kushte dhe rrethana të përcaktuara me ligj, Pollozhani thotë se me këtë vendim janë rrënuar të gjitha përpjekjet e deritanishme që përmes Prokurorisë Speciale të zbatohet sundimi i së drejtës në vend.

“Kriza është krijuar për shkak të diskreditimit të institucioneve të pushtetit qendror nga ndërhyrja në parimin e ndarjes së pushtetit pastaj ndërhyrjes së pushtetit në sistemin gjyqësor. Mu në momentin kur kriza do të shihte një dritë në tunelin e errët , Ivanovi si kryetar i diskutueshëm doli me një deklaratë bombë dhe tronditi sistemin edhe ashtu të lëkundur deri në fund të Republikës së Maqedonisë”, ka deklaruar Pollozhani.

Ndërkaq, Mirjana Najçeska, njohëse e çështjeve juridike, njëherësh aktiviste për të drejtat e njeriut, thotë se presidenti duhet të tërheq vendimin, apo edhe të kërkohet shkarkimi i tij pasi në të kundërtën protestat në rrugë mbeten alternativë e vetme për mbrojtjen e demokracisë dhe sundimin e të drejtës. Ajo në situatën e krijuar kërkon ndërhyrjen urgjente edhe të bashkësisë ndërkombëtare.

“Qytetarët gjithsesi se duhet të shprehin pakënaqësinë e tyre pas rrënimit të sistemit juridik dhe të parimeve bazë të demokracisë. Megjithatë, qytetarët duhet të kenë mbështetje edhe nga jashtë, nga bashkësia ndërkombëtare perëndimore ku synon të integrohet Maqedonia. Ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë pasi janë garantues të marrëveshjes politike".

"Situata e krijuar mund të kapërcehet me formimin e një qeverie teknike e cila do të vendos fillimisht bazat e demokracisë, që të mund të vazhdojnë një jetë normale ku do të sundonte rendi dhe ligji sikur edhe në çdo shtet normal të Evropës”, thotë Najçevska.

Nga ana tjetër, Ismet Ramadani, ish anëtar i komisionit për falje të Presidencës, konsideron se Ivanov në formën më flagrante ka shkelur të gjitha dispozitat ligjore duke varrosur në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe marrëveshjen politike përmes së cilës vendi synon të dal nga kriza.

Duke komentuar akuzat e Ivanovit në adresë të BE-së dhe SHBA-së, Ramadani thotë se ekziston rrezik qe Maqedonia përmes Ivanovit të ndryshoj kursin nga perëndimi drejt lindjes me qëllimin vetëm shmangjen e daljes para drejtësisë të politikanëve të korruptuar.

“Kjo tregon se Ivanov i përsërit deklaratat anti-perëndimore dhe anti-amerikane që na lë të dyshojmë se ai si president i Maqedonisë ka marrë një drejtim krejtësisht tjetër që në një paraqitje të tij të radhës edhe mund ta shpall, orientim ky që është drejt Moskës ose drejt Lindjes. Sido që të jetë është e turpshme dhe shumë e dhimbshme që një president i shtetit të vihet në mbrojtje të krimit dhe korrupsionit”, thekson Ramadani.

Vendimi i presidentit Ivanov është kritikuar nga e gjitha bashkësia ndërkombëtare, e cila ka dalë në mbrojtje të prokurorisë speciale, si një nga elementët kryesor të marrëveshjes politike. Komisioni Evropian ka kërkuar vendosjen e dialogut të ri mes partive, si alternativë e vetme për dalje nga gjendja e krijuar.

XS
SM
MD
LG