Ndërlidhjet

FIFA nuk i komenton ankesat e Serbisë, pranimi i Kosovës ecën tutje


Ilustrim
Ilustrim

Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA, konfirmon se aplikimi i Kosovës për pranim në këtë Federatë, konsiderohet i përmbushur (si kandidim) në momentin e pranimit në UEFA.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe Zyrën për Media të FIFA-s në lidhje me paralajmërimet e Serbisë se do ta dërgojë në Gjykatën e Arbitrazhit pranimin e Kosovës në Federatën Evropiane – UEFA, me pretendimin se me këtë vendim, UEFA kishte shkelur statutin e saj.

Por, nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit nuk ka një përgjigje të prerë për implikime të mundshme të këtyre tentativave të Serbisë sa i përket aplikimit të Kosovës për pranim në FIFA.

“Nuk mund të përgjigjemi në pyetje apo çështje hipotetike”, ishte përgjigja e Cilla Duncan nga Zyra për Komunikim me Media në FIFA, në lidhje me përpjekjet e Serbisë për të penguar apo kthyer mbrapsht anëtarësimin e Kosovës në federatat ndërkombëtare të futbollit përmes Gjykatës së Arbitrazhit.

Nga FIFA rikujtohet se Federata e Futbollit të Kosovës, e ka pasur të qartë se mund të aplikojë për anëtarësim në këtë Federatën Ndërkombëtare të Futbollit nëse paraprakisht bëhet anëtare e UEFA-s (kusht ky që tashmë është plotësuar).

Në përputhje me dispozitat përkatëse, pranimi i Kosovës në UEFA përcillet me një raport përfundimtar i cili i dorëzohet FIFA-s, me çka Kosova e fiton një mbështetje shtesë.

Kandidatura e Kosovës për pranim në FIFA pritet të vihet në votim në Kongresin e ardhshëm të FIFA-s në Meksiko City që mbahet më 12 dhe 13 maj.

Në faqen zyrtare të FIFA-s tashmë është publikuar agjenda, dhe aplikimi i Kosovës për pranim është në pikën e 15-të të rendit të ditës, çka lë të nënkuptohet se votimi me gjasë do të bëhet më datën 13 maj. Për anëtarësim në FIFA, Kosovës do t’i duhen 105 nga 209 vota sa janë gjithsej.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri kishte deklaruar se përpjekjet e Serbisë për të bllokuar Kosovën kanë qenë të kota. Sipas tij, edhe në rastin e pranimit në UEFA, pala serbe me gjithë forcën kishte provuar ta heq nga rendi i ditës pranimin e Kosovës, por kishte dështuar në këtë qëllim.

“Në Kongresin e FIFA-s i cili do të mbahet, mendoj se do të jetë edhe më mirë sesa në UEFA dhe nuk ka asnjë arsye për të mos qenë ashtu", është shprehur Vokrri.

Nëse FIFA voton për pranimin e Kosovës në këtë Federatë, pritet që më pas të shqyrtohet edhe përfshirja në kualifikimet për Kampionatin Botëror i cili do të mbahet në Rusi më 2018, në grupin I, ku bëjnë pjesë edhe Kroacia, Ukraina, Turqia, Finlanda dhe Islanda.

XS
SM
MD
LG