Ndërlidhjet

BE-ja në verë përzgjedh gjykatësit për Specialen


Ilustrim
Ilustrim

Zyrtarë të Bashkimit Evropian në Kosovë i kanë deklaruar Radios Evropa e Lirë se ende po ndërmerren hapa logjistikë dhe administrativë për krijimin e Gykatës Speciale.

Një zëdhënëse e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë, Dinka Zhival, tha për REL se procesi i punësimit të gjykatësve ende nuk ka filuar, megjithëse një konkurs për personelin tjetër është përmbyllur më 27 maj.

"Pritet që gjatë verës të mbahet konkursi i dytë, gjithëpërfshirës, kur do të punësohen edhe gjykatësit. Plnaifikohet, gjithashtu, që kur të përmbushen të gjitha kërkesat fillestare, Dhomat e Specializuara në Kosovë në kohë të mbajnë konferencën me gazetarë me të cilën opinionit do t'i shpjegohet procesi aktual dhe mandati i tyre“, tha Zhival për REL.

Autoritetet në Prishtinë, ndërkaq, thanë se i kanë kryer të gjitha obligimet e tyre për krijimin e Gjykatës Speciale përfshirë edhe miratimin e ligjeve që ndërlidhen me këtë çështje.

Gjykata Speciale pritet të fillojë punën menjëherë pas përfundimit të procedurave të parapara dhe ajo thuhet se do të merret me "krimet e luftës të kryera gjatë periudhës së viteve 1998-2000“ nga, siç thuhet, "ish-pjesëtarë të ish-UÇK-së“.

Gjykata do të punojë nën përgjegjësinë e gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, do të financohet nga fondet e BE-së dhe do të jetë e vendosur në Hagë.

Themelimi i Gjykatës Speciale pasoi një raport të Këshillit të Evropës të hartuar nga senatori nga Zvicra, Dick Marty, me të cilin "ish-pjesëtarë të UÇK-së akuzohen të kenë kryer krime lufte ndaj civilëve serbë në Kosovë dhe trafikim të organeve njerëzore“. Senatori Marti implikoi në raportin e tij drejtuesit më të lartë të ish-UÇK-së.

Pohimet e Dick Martyt u hetuan nga një prokuror amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014, deklaroi se një ekip special i hetuesve "erdhi në përfundime të pakontestueshme për ngritje të akuzave për krime lufte ndaj individëve që kanë drejtuar me ish-UÇK-në, por nuk ka pasur dëshmi për trafikim organesh".

Drejtuesit e ish-UÇK-së hodhën poshtë pretendimet për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se "mund të ketë pasur individë të caktuar që mund të kenë kryer akte të tilla jashtë komandës së UÇK-së“.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG