Ndërlidhjet

Sanksionet ndaj Rusisë shpërfaqin përçarjet në Evropë


Ilustrim
Ilustrim

Ambasadorët e Bashkimit Evropian janë pajtuar që të zgjasin sanksionet kundër Rusisë edhe për gjashtë muaj të tjerë, si pasojë e veprimeve ruse në Ukrainë.

Vendimi është marrë me gjithë thirrjet brenda bllokut të 28 shteteve anëtare për qasje më pajtuese.

Ambasadorët e BE-së e kanë miratuar të hënën vendimin në parim.

Kjo tani i shkon ministrave të vendeve anëtare të BE-së për miratim formal, një takim që pritet të mbahet më 24 qershor. Pas kësaj, janë liderët e vendeve anëtare që do e dërgojnë çështjen në samitin e BE-së, samit që do të mbahet javën e ardhshme.

Sanksionet që kanë për cak energjinë, financat dhe sektorët e mbrojtjes së ekonomisë ruse do të kalonin afatin në fund të muajit korrik. Tash ato janë zgjatur deri në janar 2017.

Ato fillimisht janë vendosur në qershor dhe korrik të vitit 2014, pas aneksimit që Rusia i ka bërë Krimesë dhe përkrahjes së dhënë për separatistët pro rusë në pjesën lindore të Ukrainës.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian ka zgjatur edhe për një vit sanksionet ekonomike ndaj Krimesë.

BE-ja gjithashtu i ka vendosur edhe një vendim ndaras kësaj për viza dhe ngrirje të aseteve kundër individëve rusë dhe personaliteteve të Ukrainës që kanë përkrahur separatistët në fillim të vitit 2014.

Këto masa do të jenë valide deri në shtator.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë presion për shtyrjen e sanksioneve, pasi është raportuar se ajo i ka bindur Sllovakinë, Hungarinë dhe Italinë që të heqin dorë nga kundërshtimet e tyre dhe t’i mbajnë sanksionet edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në Bruksel kanë thënë se vendimi i 21 qershorit shihet si fitore për shtetet e BE-së që mbajnë qëndrime të ashpra ndaj Rusisë, në mesin e të cilave Polonia dhe Lituania, por edhe Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk.

Ky i fundit e ka kërkuar vendimin për zgjatjen e sanksioneve shumë kohë para skadimit të tyre më 31 korrik.

Merkel e ka nxitur bllokun e shteteve evropiane për mbajtjen e sanksioneve rreth aneksimit rus të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe përkrahjes së këtij shteti për separatistët pro rusë në Ukrainën lindore.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, më 21 qershor ka thënë se nuk ka alternativë për sanksionet e BE-së për t’i bërë presion Rusisë për të zbatuar marrëveshjen e armëpushimit që është nënshkruar në Minsk, në shkurt të vitit 2015.

“Sanksionet janë instrumenti i vetëm i mbetur”, ka thënë Poroshenko para takimit me presidentin francez, Francoise Hollande dhe ka shtuar, “nuk ka asnjë alternativë ndaj kësaj”.

"Ne do të donim të shohim një Evropë të fuqishme dhe të sigurt. Ky është garancioni që e bën Bashkimin Evropian të ketë sukses. Kjo gjithashtu ka të bëjë edhe me aspiratat e popullit të Ukrainës. Gjithashtu, ne do të donim të shohim një Evropë solidare me Ukrainën. Prandaj, ne me të vërtetë shpresojmë që edhe britanikët do të bëjnë zgjedhje të mençur në lidhje me referendumin e 23 qershorit për dalje apo jo nga BE-ja. Ne shpresojmë që vlerat që e bashkojnë BE-në do të mbesin dhe se Evropa do i tejkalojë sfidat dhe do të mbesë e fuqishme dhe unike në të ardhmen”, ka thënë presidenti ukrainas.

Megjithatë, ka shenja që flasin për përçarje, duke nisur nga vet qeveria që e udhëheqë Merkel në Gjermani.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, së fundi ka sugjeruar që BE-ja duhet gradualisht të heq sanksionet kundër Rusisë, nëse do të kishte progres substancial në lidhje me procesin e paqes.

“Sanksionet nuk janë fundi i gjithçkaje. Ato duhet më shumë të japin shenja për ndryshim të sjelljes”, i ka thënë ai rrjetit të gazetave gjermane, “Redaktions Netzwerk Deutschland”.

Deputetët francezë, ndërkohë, kanë sinjalizuar se po e humbasin durimin me sanksionet, duke e miratuar në fillim të qershorit një rezolutë që gjithashtu bën thirrje për heqje graduale të sanksioneve.

Por, kryediplomati francez, Jean Marc Ayrault, më 20 qershor e ka përsëritur sigurinë e dhënë nga qeveria e vendit se sanksionet do të mbesin tash për tash, duke thënë se Rusia dhe Ukraina ende nuk po iu përmbahen obligimeve të marrëveshjes së Minskut.

Ayrault ka thënë se BE-ja duhet të shohë “progres real, konkret dhe të rëndësishëm” drejt implementimit të marrëveshjes së Minskut, e cila ka për qëllim t’i jap fund konfliktit në mes të forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve që e kanë përkrahjen e Rusisë.

“Çfarëdo simpatie që e kemi për popullin rus dhe Rusinë, ne duhet të jemi të qartë”, ka thënë Ayrault, duke shtuar se “marrëveshjet e Minskut duhet të implementohen dhe respektohen”.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, duke folur në forumin ekonomik që është mbajtur javën e kaluar në Shën Petersburg, ka thënë se ai ka marrë pjesë në këtë ngjarje që të mbajë të hapura lidhjet e komunikimit me Moskën, por kishte sqaruar se edhe ai e përkrahë zgjatjen e sanksioneve.

Vizita e Juncker, i cili shoqërohej nga kryeministri italian, Matteo Renzi, do të ishte e paimagjinueshme se mund të ndodhte para një viti.

Sllovakia, një nga skeptikët më të mëdhenj ndaj sanksioneve ruse, pritet të marrë presidencën e radhës së BE-së në muajin korrik, pozitë që do e ketë deri në muajin janar, kur edhe sanksioneve iu del afati. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG