Ndërlidhjet

Në Turqi vazhdojnë operacionet e sigurisë pas grushtshtetit


Dështon përpjekja për grushtshtet në Turqi, qytetarët ngjiten në tanke
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00

Dështon përpjekja për grushtshtet në Turqi, qytetarët ngjiten në tanke

Në Turqi kanë vazhduar operacionet e sigurisë, pas përpjekjes për puç ushtarak të dështuar, me ç’rast janë vrarë së paku 190 vetë dhe plagosur më shumë se njëmijë të tjerë.

Megjithëqë situata në këtë vend duket se është stabilizuar, presidenti Recep Tayyip Erdogan e ka postuar një mesazh në rrjetin Twitter, ku kërkon nga mbështetësit që të mbeten në rrugë për ta parandaluar “një shpërthim të ri” të aktivitetit në kuadër të grushtshtetit.

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, tha të shtunën në rrjetin televiziv, Haberturk, se 161 njerëz janë vrarë dhe 1,440 të tjerë janë plagosur nga trazirat e mbrëmshme.

Ai ka njoftuar se 2,839 pjesëtarë të ushtrisë janë arrestuar për mbështetje të përpjekjes për puç.

Yildirim tha se kjo përpjekje për grushtshtet ishte “shenjë e zezë” për demokracinë turke.

Të dhënat për viktimat, të paraqitura nga ushtruesi i detyrës së shefit të shtatmadhorisë së ushtrisë turke, gjeneral Umit Dundar, dallojnë në një mënyrë nga ato të kryeministrit Yildirim.

Dundar u tha gazetarëve në Ankara se 104 ushtarë, që e kanë mbështetur grushtshtetin janë vrarë. Ai, po ashtu, theksoi se janë vrarë 90 “martirë”, përfshirë 41 policë dhe 47 civilë.

“Përpjekja për puç është penguar”, tha Dundar në konferencën për shtyp në Ankara.

“Një grup brenda ushtrisë ka kryer një përpjekje, jashtë zinxhirit komandues, ta përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike”, ka kumtuar sot herët në mëngjes, Zyra e presidentit Erdogan.

Në këtë aspekt, Erdogan, duke folur në mëngjes para gazetarëve në aeroportin "Ataturk" në Stamboll tha:

“Kjo është një pakicë brenda ushtrisë turke. Ekziston partia udhëheqëse në Turqi, që ishte zgjedhur nga votat e popullit. Ekziston, po ashtu. presidenti i zgjedhur me votat e popullit dhe ne jemi në detyrë. Me ndihmën e Zotit ne do të vazhdojmë t’i plotësojmë detyrat tona deri në fund. Ne kurrë nuk do të largohemi nga vendi ynë për shkak të këtyre pushtuesve”, tha Recep Tayyip Erdogan.

Pjesëmarrësit e grushtshtetit kanë përdorur tanke dhe aeroplanë luftarakë gjatë natës, duke sulmuar ndërtesën e Parlamentit dhe Pallatin Presidencial në Ankara.

Po ashtu, është sulmuar edhe selia e shërbimeve të inteligjencës së Turqisë.

Shumica e medieve në Turqi duket se po funksionojnë përsëri, ndërsa aeroporti “Ataturk” në Stamboll, që ushtria e kishte mbyllur gjatë përpjekjes për grushtshtet, duket se e ka vazhduar procesin e fluturimeve.

Erdogan ka pretenduar se pjesëmarrësit e grushtshtetit ishin përpjekur ta vrisnin atë duke e bombarduar vendin ku ai ishte në pushim. Gjatë natës ai arriti në Stamboll për t’i mbledhur mbështetësit kundër grushtshtetit dhe për të shprehur përkushtim për “pastrim” të ushtrisë nga elementet jolojale.

“Ata do të paguajnë çmim të lartë për këtë aksion të tradhtisë”, deklaroi Erdogan kur arriti në aeroportin e Stambollit.

Reagimet ndërkombëtare ndaj zhvillimeve në Turqi

Në një kohë kritike gjatë përleshjeve të mbrëmshme në Turqi, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka kërkuar nga të gjitha palët që ta mbështesin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të presidentit, Recep Tayyip Erdogan, dhe “të tregojnë përmbajtje dhe të evitojnë çfarëdo dhune apo gjakderdhje”, ka kumtuar Shtëpia e Bardhë.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kery, ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, dhe e ka theksuar “mbështetjen absolute” të Shteteve të Bashkuara për qeverinë.

Këto mbështetje amerikane janë reflektuar edhe në deklaratat e liderëve të Bashkimit Evropian dhe të zyrës së kancelares gjermane, Angela Merkel.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, tha sot se BE-ja plotësisaht e mbështet qeverinë e zgjedhur jë mënyrë demokratike.

“Turqia është partnere kryesore e Bashkimit Evropian. BE-ja plotësisht e mbështet qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, institucionet e vendit dhe sundimin e ligjit. Ne kërkojmë kthimin e shpejtë në rendin kushtetues të Turqisë. Ne do të vazhdojmë t’i ndjekim për së afërti zhvillimet dhe të koordinohemi me 28 vendet anëtare të BE-së”, tha Donald Tusk.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje për “respektim të plotë të institucioneve demokratike dhe të Kushtetutës së Turqisë”.

Derisa presidenti Erdogan dhe zëvendësit e tij e kanë fajësuar një grup të oficerëve ushtarakë për udhëheqjen e “kryengritjes” së pakicës në ushtri, në përgjithësi, për këtë përpjekje për grushtshtet ata e fajësojnë kundërshtarin politik, që është kleriku i izoluarmysliman, Fethullah Gulen, që jeton në ekzil në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara.

Gulen, dikur aleat i Erdoganit, me shumë mbështetës në ushtrinë e Turqisë dhe në zyrat qeveritare, në mënyrë energjike e ka hedhur poshtë çfarëdo involvimi, duke thënë se “qeveria duhet të fitohet nëpër proces të zgjedhjeve të lira dhe korrekte, e jo me forcë”.

“Si dikush që ka vuajtur nën grushtshtete të shumëfishta gjatë pesë dekadave, është veçanërisht fyese të akuzohem se kam çfarëdo lidhje me një përpjekje të tillë”, ka thënë Gulen, 75-vjeçar, dhe ka shtuar se “në mënyrë kategorike i refuzoj akuzat e tilla”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG