Ndërlidhjet

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, më 11 dhjetor


Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, do të mbahen më 11 dhjetor. Kështu kanë vendosur liderët e katër partive kryesore nënshkruese të marrëveshjes politike pas një vlerësimi pozitiv që kanë dhënë për zbatimin e pikave të kësaj marrëveshjeje të arritur në korrik të këtij viti.

Partitë për të gjithë çështjet kishin qëndrime të njëjta, përveç për anëtarin e pestë të komisionit ad-hoc për monitorimin e mediave, që edhe ka zgjatur takimin deri në orës e vona të pas ditës së mërkurë.

I pari nga takimi është larguar, ish kryeministri, Nikolla Gruevski duke njoftuar se partia e tij VMRO DPMNE kishte pranuar të gjitha kërkesat e opozitës për t'i pamundësuar siç tha, ikjen e opozitës nga zgjedhjes.

“Që të mos i japim mundësi që sërish të ikin nga zgjedhjet apo që të kërkojnë alibi për shtyrjen e zgjedhjeve, ne kemi pranuar të gjithë kërkesat e opozitës. Kemi pranuar propozimin e tyre që Santa Argirovska të jetë redaktore përgjegjëse e transmetuesit publik përkundër faktit se bëhet fjalë për një kuadër me përvojë në radhët e LSDM-së e cila më këtë ka konfirmuar se nuk është e gatshme që të pranoj zgjedhje për këtë media. Kemi pranuar edhe metodologjinë e monitorimit të informimit nga agjencia e medieve".

"Kemi pranuar gjithashtu çfarë do zgjidhje për anëtarin e pestë të komisionit ad-hoc”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Partitë edhe paraprakisht kanë dhënë vlerësime për të gjitha pikat e marrëveshjes ndërsa deri në fund të javës duhet të zgjidhet edhe qeveria kalimtare me pjesëmarrjen edhe të LSDM-së, opozitare.

Ajo do të drejtojë dy resorë, Ministrinë për Punë të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale si dhe dy poste të Zëvendësministrave.

Pikat tjera kontestuese kishin të bënin me pastrimin e listës zgjedhore dhe reformat në media. Lista e votuesve është mbyllur me marrjen e së drejtës së votës të rreth 30 mijë shtetasve, të cilët deri në një afat të caktuar nga partitë nuk janë paraqitur në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjen për të verifikuar të dhënat personale dhe për të ruajtur të drejtën e votës.

Jashtë listës kryesore kanë mbetur edhe 170 mijë votues të tjerë duke e zhvendosur në një listë të posaçme në të cilën kryesisht janë përfshirë shtetas të jetojnë përkohësisht jashtë vendit.

Lista zgjedhore kishte shkaktuar reagime të shumta në opinion për shkak të pretendimeve të partive jashtëparlamentare shqiptare se jashtë listës zgjedhore kanë mbetur kryesisht votues shqiptarë.

Sa i përket medieve, partitë janë marrë vesh që puna e tyre të monitorohet nga një komision ‘ad-hoc’ pesë anëtarësh.

Një nga pikat për të cilët kishte debate të shumta ishte edhe puna e Prokurorisë Speciale e cila heton atë që njihet si aferë e përgjimeve që edhe kishte nxitur krizën politike.

Në rast të shfuqizimit të ligjit për themelimin e saj nga Gjykata Kushtetuese, ku edhe ka një nismë, partitë kanë saktësuar modalitete tjera që do të garantonin vazhdimin e punës së këtij institucioni që ka mbështetjen e fuqishme nga bashkësia ndërkombëtare.

Në fakt, përfaqësuesit ndërkombëtar kanë ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes. Ambasadori amerikan Jess Baily ditë më parë i bëri thirrje partive të qëndrojnë fuqishëm pas marrëveshjes politike si zgjidhje e vetme të çuar Maqedoninë para në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe ruajtjen e kursit euroatlantik.

Që nga paraqitja e krizës në Maqedoni, në shkurt të vitit të kaluar partitë dy herë kanë caktuar datën e zgjedhjeve, më 24 prill dhe 5 qershor, por dy afatet kishin dështuar për shkak të mos zbatimit të pikave të marrëveshjes së nënshkruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG