Ndërlidhjet

Putin: Të gatshëm të punojmë me SHBA-në në zgjidhjen e problemeve


Vladimir Putin
Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij do të ngrihet për interesat e veta, por nuk ka qëllim të përfshihet në ndonjë konfrontim me vendet e tjera.

“Nuk kërkojmë armiq, duam miq”, tha Putin në fjalimin e tij vjetor, në një sesion të përbashkët të parlamentit dhe qeverisë në Kremlin.

Ai po ashtu tha se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me SHBA-në “në baza të barabarta”.

Putin tha se është e rëndësishme për Rusinë dhe SHBA-në që të punojnë në zgjidhjen e problemeve globale, sidomos terrorizmit ndërkombëtar.

Putin nuk e përmendi me emër presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, por tha se Moska është e gatshme të bashkëpunojë me administratën e re në Uashington.

“Është e rëndësishme t’i normalizojmë dhe t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona në bazë të të drejtave të barabarta dhe të përfitimeve të ndërsjella. Bashkëpunimi midis Rusisë dhe SHBA-së në zgjidhjen e problemeve globale dhe rajonale u shërben interesave të të gjithë botës. Ne ndajmë përgjegjësi për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, tha Putin.

Komentet vijnë në kohën kur marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin janë më të këqijat që nga koha e Luftës së Ftohtë.

Përkeqësimi i tyre ka pasuar aneksimin që i ka bërë Moska Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Putin tha se Rusia është e gatshme të tejkalojë vështirësitë me të cilat ballafaqohet.

“Viti i kaluar nuk ka qenë i lehtë, por të kaluarit nëpër prova të rënda na bën më të fortë”, tha Putin.

“Qytetarët janë bashkuar – duhet t’i falënderojmë për këtë – rreth vlerave patriotike, jo vetëm pse janë të kënaqur me të gjitha aspektet e jetës së tyre, sepse ka shumë vështirësi dhe probleme këto ditë; por, ka një mirëkuptim në lidhje me arsyet dhe, çfarë është më e rëndësishmja, ka besim se do t’i kapërcejmë ato së bashku, ka gatishmëri për të punuar për të mirën e Rusisë. Kjo është ajo që qëndron në thelbin e unitetit kombëtar”, tha Putin.

Rusia po lufton për dalje nga recesioni, i shkaktuar nga rënia e çmimeve të naftës dhe sanksionet që i ka vënë Perëndimi për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.

Putin po ashtu tha se lufta kundër korrupsionit “nuk është shfaqje”, porse duhet të kryhet në mënyrë profesionale.

Ai i lavdëroi përmirësimet në shërbimet mjekësore në vend, por tha se "probleme në kujdesin shëndetësor mbeten".

Putin po ashtu tha se situata demografike e vendit vazhdon të përmirësohet dhe se popullsia ruse po rritet më shpejt se në shumë vende të Evropës.

Adresimi i Putinit është i mandatuar me Kushtetutën e Rusisë, e cila kërkon që presidenti të raportojë çdo vit për gjendjen aktuale në vend dhe prioritetet kyçe të politikës së brendshme dhe të jashtme. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG