Ndërlidhjet

Doktrina e re e Putinit thotë se presioni amerikan “minon” stabilitetin global


Vladimir Putin
Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka miratuar një doktrinë të re të politikës së jashtme, përmes së cilës akuzon Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj se minon “stabilitetin global” duke u munduar që ta “frenojë” Rusinë.

Putin ka thënë se Moska ka të drejtë që të “reagojë ashpër” drejt lëvizjeve “armiqësore” të Uashingtonit.

Doktrina, e publikuar nga qeveria ruse më 1 dhjetor, vazhdon në mënyrë të qëndrueshme të ashpërsojë retorikën ndaj Perëndimit në dokumente zyrtare të politikave në kohën kur marrëdhëniet e Moskës me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian kanë shënuar rënie.

Pjesa më e madhe e gjuhës nëpër dokumente pasqyron doktrinën e mëparshme të politikës së jashtme të Putinit nga viti 2013, dhe atë të strategjisë së sigurisë kombëtare, që është publikuar në dhjetor të vitit 2015.

Por, doktrina e re ka ashpërsuar gjuhën kur është fjala për presionin ndaj Moskës nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, të cilat i kanë vendosur sanksione Rusisë pas aneksimit ilegal të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014, por edhe përkrahjes ushtarake që iu jep separatistëve në Ukrainën lindore.

Doktrina thotë se rreziqet nga këto presione tejkalojnë kufijtë e Rusisë.

“Politika e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj që ta frenojë Rusinë dhe të aplikojë presione politike, ekonomike, informative dhe presione të tjera, minon stabilitetin rajonal dhe atë global”, thuhet në këtë dokument.

Rusia ka një kohë të gjatë që po proteston kundër lëvizjeve të Uashingtonit që kanë cak zyrtarët dhe qytetarët e Rusisë me sanksione dhe ekstradime për në shtete të treta.

Moska gjithashtu e akuzon SHBA-në se ndërhyn në çështjet e brendshme të Rusisë.

Doktrina e re ofron detaje rreth asaj se si Moska mund të përgjigjet, duke thënë se Rusia “nuk pranon përpjekjet për t’i bërë presion ushtarak, politik, ekonomik dhe presione të tjera dhe se e rezervon të drejtën për të reaguar ashpër ndaj veprimeve armiqësore, përfshirë forcimin e mbrojtjes dhe miratimin e masave asimetrike sy për sy”.

Kremlini dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë kanë shfaqur optimizëm rreth prospektit të afërsisë me Uashingtonin, të administruar nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump.

Trump ka folur pozitivisht për Putinin, duke thënë se ai do të donte të përmirësojë lidhjet me Moskën dhe të rris bashkëpunimin në operacionet kundër terrorizmit.

Presidenti aktual amerikan, Barack Obama në vitin 2015 e ka hartuar një strategji të re të sigurisë kombëtare, ku e portretizon Rusinë si një kërcënues rajonal dhe një kërcënim të stabilitetit global, që shfaqte një ndryshim drastik me tonin bashkëpunues që e karakterizonte dokumentin e mëparshëm të vitit 2010, që kërkonte “rifillim të lidhjeve me Moskën.

Doktrina e re e politikës së jashtme ruse thotë se është e interesuar në ndërtimin e “marrdhënieve me përfitim të përbashkët” me Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe në sferën shkencore dhe atë ekonomike.

Por, aty thuhet se një bashkëpunim i tillë është i mundshëm vetëm në bazë të “barazisë, respektit të interesit të dyanshëm dhe mos ndërhyrjes në çështjet e brendshme të njëri tjetrit”.

Doktrina e re e ndryshon qasjen ruse ndaj NATO-s shumë pak, duke thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me aleancën ushtarake në bazë të një “partneriteti të barabartë”.

Por, aty përsëritet zemërimi i Moskës me zgjerimin e hovshëm të NATO-s drejt kufijëve rusë, që aleanca rregullisht e ka thënë se nuk paraqet kërcënim për Rusinë.

Dokumenti e akuzon NATO-n se ka krijuar “krizë serioze në lidhjet mes Rusisë dhe qeverive perëndimore”.

Njejtë, si dokumenti paraardhës, doktrina e tashme e politikës së jashtme të Putinit bënë thirrje për eleminimin e regjimit të vizave në mes të Rusisë dhe BE-së, duke e përshkruar kufizimin si “një nga pengesat kryesore në zhvillimin e lidhjeve të gjëra në mes të dy palëve”.

Të dy doktrinat, ajo e mëparshmja dhe kjo e tashmja, nënvizojnë rëndësinë e lidhjeve me Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

Holanda ishte përmendur në doktrinën e vitit 2013, por ky shtet evropian nuk përmendet në dokumentin e ri.

Hetimi dokumentar i udhëhequr nga hetuesit holandezë thotë se një raketë ruse e gjuajtur nga territori ukrainas që kontrollohet nga separatistët pro rusë e ka rrëzuar aeroplanin e “Malaysia Airlines” në korrik të vitit 2014. Në këtë rast janë vrarë të gjithë 298 personat që kanë qenë në bord.

Në muajin tetor, Rusia e ka thirrur ambasadorin holanez në Moskë për t'u ankuar rreth të gjeturave.

Doktrina e mëparshme e Putinit për politikë të jashtme gjithashtu e kishte përmendur Britaninë e Madhe si një “kanal” potencial kyq për bashkëpunim në Evropë.

Por, dokumenti i tashëm nuk e përmend më Britaninë. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG