Ndërlidhjet

Jordani: Vriten 10 persona, përfshirë edhe një turist


Ilustrim

Zyrtarët e sigurisë në Jordani kanë thënë se së paku 10 persona janë vrarë kur persona të armatosur e kanë sulmuar një patrullë policore dhe më pas janë fshehur në një kështjellë mesjetare që është një nga zonat atraktive turistike.

Sulmi i 18 dhjetorit në rajonin jugor është një nga sulmet më të rënda në Jordani, shtet që gjendet afër me shtetet e kapluara nga lufta, Siria dhe Iraku.

Agjencia kryesore e sigurisë së këtij vendi ka thënë se shtatë policë janë vrarë, një turist kanadez dhe dy shtetas civil të këtij vendi. Së paku 27 të tjerë janë plagosur.

Dhuna ka shpërthyer kur persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj një patrulle në qytetin e Karakut, zonë ku gjendet një nga kështjellat më të njohura të kohës së kryqëzatave që është edhe zonë e pëlqyer e turistëve.

Policia ka thënë se sulmuesit kanë vazhduar të shkëmbejnë zjarr me policinë, e cila ishte në pritje të njësive speciale.

Karak gjendet rreth 120 km në jug të kryeqytetit, Aman.

Jordania është një nga aleatët kyç të Uashingtonit dhe pjesëtarë i koalicionit që udhëhiqet nga amerikanët në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik në Siri dhe Irak.

XS
SM
MD
LG