Ndërlidhjet

Qeveria në Maqedoni vazhdon me politikën e borxheve


Ilustrim

Borxh i jashtëm i Maqedonisë vazhdon të rritet, ndërsa institucionet nuk japin sqarime për destinimin e parave që merren si nga bankat vendore, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Financave, në tremujorin e fundit të vitit 2016, borxhi publik ka arritur në rreth 4.7 miliardë euro, apo 50.6 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, shifër kjo rekorde sa i përket huamarrjes që nga pavarësia e Maqedonisë.

Politika e marrjes së borxhit ka nisur edhe këtë vit me rreth 32 milionë euro nga ekonomitë vendore, disa ditë para se të përfundojë afati për kthimin e një borxhi prej rreth 15 milionë eurosh, gjë që ka ngritur dilemat në se borxhi merret për të shlyer borxhet e vjetra.

Pos kësaj, reagimet më të mëdha vijnë për faktin se borxhi merret nga Qeveria teknike, që sipas njohësve të çështjeve ekonomike, është e patolerueshme, pasi kabineti i tanishëm, në bazë të Kushtetutës, kryen vetëm punët teknike deri në formimin e Qeverisë së re.

Unë dyshoj se këtë e bëjnë për qëllime të caktuara. Duke e ditur se është në largim e sipër, Qeveria teknike me këtë tenton të fshehë shumë punë të pista që janë bërë vitin e kaluar. Përveç kësaj, me këtë bien poshtë edhe pohimet se deficiti buxhetor është nën tre për qind, që faktikisht del është shumë më i lartë. Nuk ka aspak transparencë, qytetarët nuk e dinë se për çka merret borxhi dhe ku shkojnë këto para”, thotë Sllobodan Najdosvski, ekspert i ekonomisë dhe ish-deputet.

Edhe Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike dhe ish-drejtor i Zonës së lirë ekonomike në Tetovë, hedh dyshime rreth destinimit të parave nga borxhet e marra.

Halili është i bindur se këto para nuk do të përdoren për zhvillimin ekonomik të vendit, për investime kapitale, apo për forcimin e kapaciteteve ekonomike, por për mbulimin e dështimeve, apo mbajtjen gjallë të ekonomisë së rënduar.

“Marrja e këtij borxhi më shumë do të orientohet në zbutjen e përkohshme të gjendjes edhe ashtu të rënduar ekonomike. Edhe pse zyrtarisht nuk dihet përdorimi i këtyre mjeteve, por sigurisht se një pjesë mund të shkojë për kthimin e borxheve të marra paraprakisht”.

“Kurse, një pjesë tjetër do të shërbejë ndoshta për të zbutur Fondin pensional dhe fondeve tjera, pasi tashmë dihen vështirësitë që kanë për të shlyer detyrimet ndaj shfrytëzuesve të tyre”, thotë Halili për Radion Evropa e Lirë, duke mos përjashtuar mundësinë për mbulimin e keqpërdorimeve që janë bërë për projekte të shumta që tashmë janë objekt hetimi nga Prokuroria Speciale.

Ai thotë se sikur paratë të ishin të destinuara për projekte kapitale, Qeveria nuk do të ndalej së reklamuari projektet e tilla.

“Në momentin kur ju merrni borxh dhe në anën tjetër nuk u tregoni qytetarëve apo publikut se për çfarë do të shfrytëzohen këto mjete, atëherë hapësira për dyshime është shumë e lartë. Sikur këto mjete të përdoreshin për projekte konkrete, atëherë besoj se Qeveria këto do t’i reklamonte në mënyrë shumë pompoze”, vlerëson Halili, duke hedhur dyshime mbi keqpërdorimin e parave nga marrja e borxheve.

Nga Qeveria, paraprakisht kanë thënë se borxhet merren për ruajtjen e stabilitetit ekonomik, por edhe për shlyerjen e detyrimeve tjera dhe, sipas saj, është normale që shtetet të marrin borxhe. Syrtarë qeveritarë thonë se Maqedonia, për dallim nga shtetet tjera, nuk është edhe aq shumë e zhytur në borxhe. Kriza ekonomike në vend është përshkallëzuar me krizën politike e pranishme tashmë tre vjet.

Si pasojë e saj, por edhe e politikave qeveritare, e para së gjithash projektit kundërthënës “Shkupi 2014” që besohet të ketë kushtuar më shumë se 500 milionë euro, Maqedonia ndodhet në krizë të rëndë ekonomike, pa investime kapitale dhe me ekonomi vendore të pazhvilluar.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG