Ndërlidhjet

Ish-ndihmësi i Trumpit kishte propozuar plan për përfitime të Putinit


Paul Manafort

Agjencia Associated Press (AP) ka raportuar se Paul Manafort, ish-shef i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, në mënyrë sekrete kishte propozuar një strategji politike, me të cilën do të përfitonte presidenti rus, Vladimir Putin, dhe do të dëmtoheshin kundërshtarët e tij.

Duke cituar disa njerëz, të afërt me pagesat që i janë bërë Manafortit dhe shënimet biznesore që i ka siguruar, AP ka raportuar sot se ky biznesmen amerikan e kishte propozuar planin te pasaniku rus me lidhje në Kremlin, Oleg Deripaska, më herët se në qershor të vitit 2015.

Thuhet se ky plan synonte ndikime në politikë, marrëveshje biznesore dhe raportim gazetaresk në gjithë Shtetet e Bashkuara, në Evropë dhe në ish-Bashkimin Sovjetik, në mënyrat që do ta favorizonin Putinin.

Manafort, e kishte nënshkruar kontratën në vlerë prej 10 milionë dollarësh me zotin Deripaska dhe kishte pasur marrëdhënie biznesore me të deri së paku në vitin 2009, raporton AP.

Ky raport duket se i kundërshton deklaratat e mëhershme të administratës Trump dhe vetë zotit Manafort, se ai kurrë nuk kishte punuar për interesa të Rusisë.

Manafort, i cili paraqiti dorëheqje në gusht të vitit 2016, pas akuzave për kontakte me zyrtarët e inteligjencës së Rusisë dhe për pagesa joligjore të ndërlidhura me punën e tij paraprake për partinë politike të ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, që kishte qëndrim miqësor ndaj Rusisë, ia ka konfirmuar AP-së se kishte punuar për zotin Deripaska.

Por, ai tha se kjo punë “nuk involvonte përfaqësim të interesave politike ruse” dhe në mënyrë jokorrekte ishte përshkruar si “i papërshtatshëm dhe djallëzor” në kuadër të “fushatës njollosëse” kundër tij.

XS
SM
MD
LG