Ndërlidhjet

Mustafa: Nëse Kuvendi nuk e ratifikon Demarkacionin, opsion zgjedhjet


Kryeministri Mustafa paralajmëron zgjedhje
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:41 0:00

Kryeministri Mustafa paralajmëron zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje, nëse Kuvendi nuk e ratifikon Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave.

Në këtë intervistë, Mustafa flet edhe në lidhje me kërcënimet e evidentuara nga individë e grupe të caktuara, kundër liderëve të shtetit të Kosovës dhe disa figurave politike.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, shefi i diplomacisë gjermane dhe senatori amerikan, John McCain, adresuan mesazhe të qarta për institucionet e Kosovës që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave. Ku qëndrojnë procedurat dhe kur pritet të vihet në votim në Kuvend, demarkacioni?

Isa Mustafa: Ne zhvilluam dje biseda me dy përfaqësuesit e dy vendeve lidere, përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si vend lider botëror dhe Gjermanisë si vend lider i Bashkimit Evropian. Biseduam në lidhje me këtë çështje dhe e shtruam seriozitetin e këtij problemi, sepse kemi mbetur vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Kërkuam që të bëhet një zgjidhje, duke pasur parasysh që konsiderojmë se në mënyrë të padrejtë na është vënë kriteri i Demarkacionit të kufirit, i cili nuk ka vlejtur për vendet tjera. Megjithatë, neve na është vënë si kriter që nga viti 2012 dhe është shumë vështirë qa ta ndryshojmë tash, në vitin 2017.

Kërkuam që të gjendet ndonjë alternativë në mënyrë që të kapërcehet kjo çështje, por gjithsesi ta marrim si obligim që ne ta përmbushim. Është një porosi e qartë ndaj të cilës ne duhet të kemi respekt. Së pari, ne duhet të kemi respekt ndaj qytetarëve tanë që t’i nxjerrim nga izolimi dhe kjo është detyrë e Kuvendit dhe Qeverisë.

Por, po ashtu duhet të kemi respekt edhe ndaj vendeve të cilat japin vlerësime të tilla, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, duke pasur parasysh që ato na kanë përkrahur në të gjitha proceset dhe ato nuk të japin sugjerime dhe nuk të udhëzojnë në veprime të tilla, ngase janë shtete mike të Kosovës.

Ne tani do të merremi vesh me partnerët e koalicionit, me Partinë Demokratike të Kosovës, por edhe me Listën Serbe dhe të tjerët se kur do të kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve në Kuvend, sepse ju e dini që deri më tani kemi pasur problem me mungesën e Listës Serbe.

Në momentin kur merremi vesh për kohën, ne do të procedojmë në Qeveri me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes. Do të shkojmë në Kuvend. Kuvendi duhet ta merr përgjegjësinë për këtë.

Mendoj që është përgjegjësi shumë e madhe, sepse natyrisht që një Kuvend i cili nuk e konsideron çështjen e nxjerrjes së qytetarëve të vet nga izolimi dhe i mbanë në izolim për kauza politike ose për interesa personale, ai Kuvend mandej shtrohet pyetja se a ka të drejtë morale edhe më tutje të ekzistojë apo ta rivlerësojë vetveten.

Radio Evropa e Lirë: Tash kur Lista Serbe është kthyer në institucione, koalicioni qeverisës i ka rreth 90 vota në Kuvend. Kë e bëni ju përgjegjës për mos ratifikimin e demarkacionit, pushtetin apo opozitën. Kush po e mban peng liberalizimin?

Isa Mustafa: Unë mendoj se peng po e mbajmë të gjithë, sepse është detyrë e të gjithë deputetëve që të punojnë në interes të vendit. Në disa çështje ne mund të bëjmë pozitë e opozitë, por ne nuk mund të bëjmë pozitë dhe opozitë në çështjet që janë në interesin e vendit.

Mendoj se përgjegjësia më e madhe në këtë rast është e pozitës, pushtetit, deputetëve të pozitës, sepse programi ynë qeverisës është i pozitës. Por, në këtë rast unë nuk e kuptoj as opozitën, e cila për një kauzë, dëshiron ta mbajë peng qytetarin e Republikës së Kosovës.

Tani kemi, 30 deputetë të opozitës, kurse të tjerët janë kryesisht të pozitës dhe një numër i vogël i deputetëve të pavarur. Kështu që nëse stabilizohet ardhja e Listës Serbe në Kuvend ne duhet të procedojmë me këtë çështje, sepse numri formal sigurohet. Por, presim që deputetët ta marrin përgjegjësinë që ta votojnë dhe ta kapërcejmë këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Ju thatë se një Kuvend që nuk është në gjendje ta përmbush një mision në shërbim të qytetarëve duhet ta rishqyrtojë vetveten. A nënkupton kjo edhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme?

Isa Mustafa: Unë mendoj se edhe kjo nënkupton, sepse nuk do të ishte e arsyeshme që njerëzit të cilët nuk janë në gjendje ta marrin një përgjegjësi të tillë dhe marrin vendim për t’i lënë qytetarët të vetizoluar, që ata të vazhdojnë edhe më tutje të qeverisin me vendin, qoftë si parlament qoftë si qeveri.

Në këtë rast, Qeveria e ka bërë punën e vet, por Qeveria nuk mund ta përfundoj punën e vet pa parlamentin. Prandaj, në këtë rast mbetet përgjegjësi e deputetëve të subjekteve politike që janë në pushtet, por edhe të opozitës.

Mirëpo, po ashtu mbetet llogari se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kush do ta bëj këtë, sepse nëse ky është kusht për ne tash si koalicion qeverisës, i njëjti do të jetë kusht edhe për koalicionet dhe kuvendet e ardhshme.

Ne duhet të mendojmë për qytetarët dhe jo për vetveten, ashtu siç po shoh unë se si njerëzit po sillen në këtë situatë, sepse nuk është as morale dhe as e logjikshme kjo mënyrë e sjelljes.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë që Lista Serbe është kthyer në institucione, janë përmendur disa prioritete të saj, të paktën kështu kanë deklaruar për media, ku përfshihet themelimi Asociacionit dhe diskutimi me ju për demarkacionin. A i keni takuar ju përfaqësuesit e Listës dhe a i keni diskutuar këto çështje?

Isa Mustafa: Unë jam takuar me përfaqësuesit e Listës, por problemi tash është në mes tyre. Ata kanë problem se kush e drejton Listën Serbe, kush e drejton Grupin Parlamentar.

Ata vijnë me propozime që të bëhen ndryshime të zëvendësministrave si dhe për ministrin e Pushtetit Lokal. Unë kam kërkuar nga ata që t’i sqarojnë çështjet mes vete në mënyrë që të mos kemi dy apo tri adresa të komunikimit. Çështje tjera, tash për tash nuk i kanë hapur.

Çështja e Asociacionit, mendoj se duhet të adresohet dhe ne jemi të gatshëm që në çdo moment të ulemi me Listën Serbe, me ekipin menaxhues dhe me ndërkombëtarët që të adresojmë këtë çështje në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me marrëveshjet të cilat janë nënshkruar në Bruksel.

Kushte tjera dhe çështje tjera nuk ka pasur. Nuk kemi diskutuar as për votimin e Demarkacionit, sepse nuk kemi pasur rast që të ulemi dhe të merremi vesh, për arsye se janë akoma këto problemet mes tyre, të cilat nuk do të dëshiroja të ishin, e të cilat besoj se do t’i tejkalojnë.

USHTRIA BËHET ME SHBA-të, NATO-n DHE BE-në

Radio Evropa e Lirë: Kryeministër Mustafa, ka një kohë që Qeveria ka pranuar projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të dorëzuar nga Presidenti në Kuvendin e Kosovës. Por, i njëjti, duket se është tërhequr, për t’u hapur rrugë ndryshimeve kushtetuese, fillimisht. Cila mendoni se është rruga më e mirë për krijimin e ushtrisë së ardhshme të Kosovës?

Isa Mustafa: Po, mendoj se rruga është kjo tani, që ky transformim të bëhet në bashkërenditje me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e bashkimit Evropian. Të jetë një proces, për aq sa të jetë i mundur, gjithëpërfshirës në mënyrë që të punojmë me të gjithë. Me të gjithë qytetarët, me të gjitha komunitetet. Në këtë rast problemi adresohet veçmas te komuniteti serb dhe deputetët serb në Kuvendin e Kosovës të cilët duhet ta votojnë ndryshimin e kushtetutës në mënyrë që transformimi të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, sepse është mënyra më e mirë që të bëhet ky transformim.

Mendoj që ne jemi të gatshëm dhe kemi treguar gatishmërinë dhe synimin si institucione të Kosovës, duke u nisur nga Presidenti, Kuvendi, Qeveria dhe të tjerët, që ne ta bëjmë punën maksimalisht.

Të bisedojmë me të gjithë, t’i bindim të gjithë dhe ta argumentojmë se Forca e Armatosur e Kosovës është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Se integriteti i vendit është po ashtu interes i të gjithëve. Se pjesëmarrja e kësaj Force në misionet paqeruajtëse dhe në misionet tjera humanitare jashtë është, po ashtu, në interes të rajonit, të stabilitetit të paqes në Ballkan e më gjerë. Ne do të mundohemi ta japim maksimumin që t’i bindim serbët që këtë ta votojnë.

Por, duhet ta kemi parasysh edhe faktin që nuk mundet themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës të mbetet peng i vetëm një komuniteti, apo i vetëm një grupi parlamentar, sepse fjala është për interesin e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

KA INFORMACIONE PËR PËRGATITJEN E SULMEVE KUNDËR LIDERËVE POLITIK

Radio Evropa e Lirë: Kryeministër, dje Ambasada amerikane në Prishtinë u ka drejtuar një këshillë, sugjerim qytetarëve që të bëjnë kujdes këto ditë, sidomos gjatë festës së Pashkëve. Keni ju informacione se vendi është i kërcënuar në aspektin e sigurisë nga individë apo grupe terroriste?

Isa Mustafa: Ne kemi zhvilluar dje një mbledhje të Këshillit për Siguri të Kosovës. I kemi vlerësuar disa informata të cilat i kemi marrë nga organet kompetente të cilat e përcjellin çështjen e sigurisë në Kosovë.

Jemi informuar se ka individë dhe grupe të cilët tentojnë të kryejnë veprime kundër bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe disa liderëve politik.

Individë të tillë janë të lidhur edhe me njerëz jashtë Kosovës dhe me shërbime të ndryshme të cilat nuk ia duan të mirën Republikës së Kosovës dhe e rrezikojnë rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve.

Po ashtu, duke pas parasysh se çfarë po ndodh në vendet e tjera, kemi marrë masa që të shtojmë vigjilencën dhe prezencën e organeve të sigurisë. Të jetë kjo prezencë më e madhe, sidomos tani gjatë festave fetare në mënyrë që ato të mos shfrytëzohen për ndonjë akt i cili do të rrezikonte, dëmtonte qytetarët.

Ne kemi kërkuar një vigjilencë më të madhe, një prezencë më të madhe, një aktivizim më të madh të gjitha organeve të sigurisë. Po ashtu, kemi kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ato të ndërmarrin masa ndaj individëve të cilët e rrezikojnë rendin kushtetues dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve. (REL)

XS
SM
MD
LG