Ndërlidhjet

Rritja e pagave godet sektorin privat


Ilustrim
Ilustrim

Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për mundësinë e rritjes së pagave, po kundërshtohet nga përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, duke e vlerësuar atë, siç thonë, si një kërkesë për votë dhe fillim të fushatës.

Në mbledhjen e qeverisë, të enjten, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar nga Ministria e Financave, që në koordinim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të propozojë mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civilë, për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë.

Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka pasur qëndrueshmëri të mirë buxhetore dhe lëvizje të mirë ekonomike, gjë që mundëson edhe rritjen e pagave.

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike gjatë këtij viti pritet të arrijë në 3.9 për qind, megjithëse ekspertët thonë se kjo rritje nuk mund të zbus problemet e papunësisë dhe varfërisë dhe nuk mundëson rritje të pagave.

Ata thonë se sikur ‘është bërë traditë që rritja e pagave të ndodh në prag të zgjedhjeve’.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se ky subjekt ekonomik mbështet hapat pozitiv dhe disiplinën financiare në Kosovë, por nuk mund të ndodh gjithmonë rritja e pagave në sektorin publik duke anashkaluar sektorin privat.

Ai ka thënë se rritja e paralajmëruar e pagave është ‘grusht’ për sektorin privat, nga i cili është realizuar edhe rritja ekonomike që, siç thotë Gërxhaliu, “sipas kryeministrit mundëson rritjen e pagave”.

"Kjo duhet të analizohet nga dimensioni psikologjik si do të reflektojë tek qytetarët, në veçanti tek të rinjtë. Sepse do të jetë një hap demotivues që të rinjtë të jenë të orientuar për të punuar në sektorin privat, sepse sektori privat nuk e ka këtë komoditet të rritjes së pagave në mënyrë permanente”, ka thënë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e paralajmëruar të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave në sektorin publik.

Në një qëndrim të shprehur me shkrim, Oda Amerikane beson fuqishëm se ky vendim i mundshëm do të rriste më tej boshllëkun në nivelet e pagesave në sektorin publik dhe privat, veçanërisht duke e ditur se normat e rritura në mënyrë të vazhdueshme në sektorin publik nuk mund të përcillen nga sektori privat, si rezultat i sfidave dhe vështirësive me të cilat përballet ky i fundit.

"Oda Amerikane rikujton Qeverinë e Kosovës se vendimi i paralajmëruar do të bënte sektorin privat më pak atraktiv për punëkërkuesit dhe do të inkurajonte zhvendosjen e fuqisë punëtore nga sektori privat në atë publik”, thuhet në qëndrimin e Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë .

Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, ndërkaq, duke e kundërshtuar rritjen e pagave në këtë sektor, thotë se kjo bie ndesh me programet qeveritare dhe zotimet e Qeverisë se Kosovës të dhëna në Planin Nacional për Reforma në Ekonomi për vitin 2017

Agron Demi nga ky institut, thotë se qeveria fillimisht duhet të bëjë përpjekje për të rritur numrin e të punësuarve e jo të rrisë rrogat për ata që janë duke punuar.

Sidoqoftë, nëse qeveria merr një vendim të tillë, Demi llogaritë se në bazë të rritjes ekonomike, paga mund të rritet deri në 20 euro në muaj.

“Nëse do të procedohej tutje dhe do të rriten pagat konform rritjes ekonomike, atëherë i bie që secilit shërbyes civil t’i rritet paga prej 15 deri 20 euro dhe jo më shumë. Por, kjo nuk duhet të ndodh".

"Ky paralajmërim është i motivuar nga zgjedhjet, për shkak se kanë kërcënuar me mos dalje në zgjedhje apo me greva, sindikata e arsimit, shëndetësisë dhe shërbyesit civil”, thotë Demi.

Safet Gërxhaliu ndërkaq thotë se pasojat e rritjes së pagave para fillimit të fushatës zgjedhore po barten deri në katër vite dhe për këtë periudhë po dëmtohet sektori privat.

“Në veçanti po humbet motivi i të rinjve për t'u përgatitur për sfidat e sektorit privat sepse në mungesë të përgjegjësisë institucionale dhe individuale, dhe në mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit, është një luks sot të punohet në institucionet publike, sepse nuk ka performancë. Dhe të stimulohet aty ku nuk ka performancë nuk i bëhet nder Kosovës dhe ardhmërisë se saj”, thotë Gërxhaliu.

Rritje të pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve publik, prej 25 deri në 50 për qind ka pasur edhe në vitin 2014 dhe edhe më herët më 2011, vite këto kur ka pasur zgjedhje në Kosovë.

Sipas të dhënave zyrtare, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 400 euro në muaj, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro. (REL)

XS
SM
MD
LG