Ndërlidhjet

Merkel pezullon përkohësisht dëbimet në Afganistan, pas shpërthimit në Kabul


Kancelarja gjermane Angela Merkel

Gjermania ka pezulluar përkohësisht dëbimet në Afganistan për azilkërkuesit që kanë deshtuar të fitojnë të drejtën e qëndrimit në Gjermani, pas një shpërthimi masiv të një kamioni- bombë në Kabul.

Kancelarja Angela Merkel ka thënë se shumica e dëbimeve do të mbeten në pritje derisa Ministria e Jashtme të përfundojë rishikimin të situatës aktuale të sigurisë në Afganistan. Kjo procedurë do të zgjasë deri në korrik kur pritet të funksionalizohet Ambasada Gjermane në Kabul.

Merkel ka bërë këto deklarata një ditë pasi një kamion- bombë ka lënë të vrarë më shumë se 90 persona dhe ka plagosur më shumë se 400 të tjerë. Menjëherë pas shpërthimit në Kabul, Gjermania ka anuluar një fluturim me aeroplan i cili do të dërgonte të dëbuarit në Kabul.

Merkel ka thënë se kjo shtyerje e afatit nuk do të zbatohet për kriminelët dhe azilkërkuesit të cilët konsiderohen kërcënim për sigurinë në Gjermani .

Në të kaluarën, shumë afganë u lejuan të qëndronin në Gjermani për shkak të kërcënimeve në Afganistan. Por vitin e kaluar, Berlini caktoi disa pjesë të vendit që i konsideroi si të sigurta për kthimin e këtyre personave në vendin e tyre.

XS
SM
MD
LG