Ndërlidhjet

S’ka ende aktakuza ndaj deputetëve të përfshirë në incidentin e 27 prillit


Eskalimi i situatës në Parlamentin e Maqedonisë, 27 Prill

Kanë kaluar afërsisht dy muaj nga ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, por ende nuk është njoftuar zyrtarisht të kenë nisur hetimet ndaj deputetëve që dyshohet se ishin përfshirë.

Kryesisht bëhet fjalë për deputetë të VMRO DPMNE-së, së Nikolla Gruevskit, të cilët dyshohen të kenë ndihmuar protestuesit që më 27 prill, ‘pushtuan’ Kuvendin duke sulmuar fizikisht deputetët e shumicës parlamentare pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Nga Prokuroria Publike nuk kanë dhënë detaje rreth nisjes eventuale të procedurave hetimore edhe pse raportet e Ministrisë së Punëve të Brendshme flasin për përfshirjen e të paktën gjashtë deputetëve të VMRO-së në trazirat në Kuvend.

Disa prej tyre, dyshohet se kanë hapur dyert e Kuvendit për protestuesit, ndërsa të tjerët i kishin udhëzuar protestuesit për tek salla e konferencave për mediat, ku ndodheshin deputetët e shumicës të cilët më pas iu nënshtruan dhunës së ashpër.

Disa deputetëve të sulmuar, iu rrezikua edhe jeta nga plagët e marra. E gjithë skena e dhunshme ishte regjistruar nga kamerat brenda Kuvendit të cilat edhe janë treguar në opinion.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se hezitimi i gjyqësorit për nisjen e hetimeve për këtë rast të rëndë, edhe një herë vërteton gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet drejtësia, e cila sipas tyre, ka nevojë për ndryshime rrënjësore.

“Duhet bërë një revidim rrënjësor të rregullativës ligjore, por gjithsesi se reformat më të mëdha duhet të bëhet në pjesën e sistemit të drejtësisë për të funksionuar sistemi gjyqësor i cili, siç duket, nuk është në nivel të detyrës dhe është i politizuar në nivelin më të lartë të mundshëm. Pa një sistem gjyqësor të pavarur nuk mund të ketë sundim të ligjit në vend”, thotë Nikolla Tupançevski, profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup.

Lidhur me dhunën në Kuvend, gjykatat kishin ndaluar rreth 20 persona, por vetëm nëntë prej tyre ishin dënuar, ndonëse edhe ata morën dënime me kusht, duke nxitur kështu reagime të shumta në opinion.

Në rast të mungesës së vullnetit të prokurorisë së rregullt për të hetuar rastin, nuk përjashtohet mundësia që këtu të përfshihet edhe Prokuroria Speciale, e themeluar pikërisht për shkak të politizimit të institucioneve aktuale gjyqësore.

Kjo prokurori, ndërkohë është në përfundim të hartimit të akuzave ndaj dhjetëra zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim të detyrës. Prokurorja Speciale, Katica Janeva, tha se paditë pritet të zyrtarizohen javën e ardhshme.

“Mendoj se shumë nga hetimet që janë hapur do të përfundojnë me padi penale. Ka edhe për zyrtarë të lartë, por edhe për personalitete tjera që kanë qenë pjesë e aferës së përgjimeve nga periudha 2008-2015”, ka thënë ajo.

“Për disa nga personat e dyshuar do të ketë padi penale, për disa do të ketë ndërprerje të procedurës. Shpresoj se gjykatat do të marrin në konsideratë dëshmitë tona lidhur me paditë që do të paraqesim dhe të njëjta do të marrin edhe epilogun konkret”, ka deklaruar prokurorja speciale, Katica Janeva.

Megjithatë, ajo nuk ka saktësuar emra konkret, por në mesin e tyre, besohet se do të gjenden ish-ministra të Qeverisë së Nikolla Gruevskit, përfshirë edhe vet ish kryeministrin.

XS
SM
MD
LG