Ndërlidhjet

Kryeministri i Irakut ka shpallur fitore kundër IS-it dhe çlirimin e Mosulit


Haider al-Abadi i veshur me uniformë të zezë dhe me kapelë në kokë duke u përshëndetur me jë oficer të armatës me të arritur sot në Mosulin e çliruar

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, i ka uruar forcat e armatosura të vendit të tij për betejën triumfuese tetëmujore për çlirimin e qytetit Mosul nga okupimi trevjeçar i militantëve të Shtetit Islamik (IS).

“Komandanti i forcave të armatosura, Haider al-Abadi, ka arritur në qytetin e çliruar në Mosul dhe i ka uruar luftëtarët heroikë dhe popullin e Irakut për fitoren e madhe”, ka njoftuar sot kryeministria e Irakut.

Në një fotografi të publikuar në rrjetin Twitter shihet kryeministri Abadi i veshur në uniformë të zezë ushtarake dhe me kapelë, derisa arriti në Mosul për ta shpallur rimarrjen e kontrollit në këtë qytet.

Operacioni për Mosulin ishte lansuar në muajin tetor të vitit të kaluar nga forcat ushtarake irakiane, të mbështetura nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë betejës për Mosul, që është qyteti më i madh të cilin e kanë kontrolluar militantët, janë vrarë mijëra civilë dhe afro një milion njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Zyrtarët kanë tërhequr vërejtjen se derisa beteja kryesore për Mosulin ka përfunduar, militantët ende mund të ndërmarrin sulme sporadike nga afërsia e qytetit, ku grupi ekstremist, Shteti Islamik, ende ka hapësira që i kontrollon.

XS
SM
MD
LG