Ndërlidhjet

Izetbegoviq: Populli serb të mos e mohoj gjenocidin në Srebrenicë


Një femër myslimane duke e shprehur dhembjen për vëllaun e saj, trupi i pajetë i të cilit është varrosur sot në Potoçari afër Srebrenicës

Anëtari mysliman i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, i ka bërë thirrje sot në Potoçari popullit serb, liderëve dhe elitës intelektuale serbe, që ta pranojnë të vërtetën dhe të mos e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë.

“Ky është hap i cili do t’i kontribuoj pajtimit të të gjithë neve”, tha Izetbegoviq në tubimin përkujtimor në Potoçari dhe ka shtuar se “nga komuniteti ndërkombëtar e vërteta kërkon që të pengohen Srebrenicat e ardhshme”.

Ai ka theksuar se për boshnjakët, Srebrenica është “plaga më e thellë” të cilën askush kurrë nuk do ta harroj.

“Ajo që ka ndodhur këtu në vitin 1995 është mirë e njohur. Njësitet e vdekjes të Mlladiqit dhe Karaxhiqit e thyen rezistencën e mijëra mbrojtësve, duke dashur që në këtë hapësirë të mos ekzistoj një popull”, tha Bakir Izetbegoviq.

Anëtari i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, tha se Kombet e Bashkuara kishin qëndruar pasive dhe memece, “duke e lëshuar në mënyrë qyqare zonën e mbrojtur nga OKB-ja” në të cilën ka ndodhur “njëri prej krimeve më të errëta të civilizimit të sotëm”.

Parashihet që pas fjalimeve të zyrtarëve, në Kompleksin përkujtimor në Potoçari do të varrosen mbetjet e 71 njerëzve të vrarë në Srebrenicë. Aty tashmë janë të varrosur edhe trupat e pajetë të 6,500 njerëzve.

Në masakrën e Srebrenicës para 22 viteve janë vrarë afro 8 mijë burra e djem myslimanë.

Viktimat ishin ekzekutuar nga forcat serbe të Bosnjës, të cilat e kishin marrë këtë qytet në korrik të vitit 1995, gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, në periudhën 1992-1995.

Ky ishte akti më mizor i gjenocidit në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG