Ndërlidhjet

SHBA: Pesë ish-presidentë në koncertin për ndihmë të viktimave të uraganit


Ish-presidentët amerikanë Barack Obama (i pari majtas), George W. Bush, Bill Clinton, George H.W. Bush (në karrocë) dhe Jimmy Carter

Të gjithë ish-pesë presidentët amerikanë, që janë gjallë, parashihet të marrin pjesë në një koncert në një universitet në Teksas, për t’i ndihmuar viktimat e uraganit. Koncerti do të mbahet më 21 të këtij muaji.

Në kumtesën e mbrëmshme, theksohet se Barack Obama, George W. Bush, Bill Clinton, George H.W. Bush dhe Jimmy Carter, do të paraqiten së bashku në koncertin në Universitetin A&M në Teksas.

Me këtë koncert do të tubohen fonde për viktimat e stuhive natyrore, që e kanë goditur pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara dhe rajonin e Karaibeve.

Kjo shpallje u bë nga Libraria e Fondacionit Presidencial, George H.W. Bush, ku, po ashtu, theksohet se “të gjitha shitjet e biletave dhe të ardhurat e tjera” do të përdoren për ripërtritjet nga shkatërrimet e shkaktuara nga stuhitë në Teksas, Floridë dhe në Karaibe, përfshirë territorin amerikan, Porto-Riko.

Në Teksas jeton familja Bush, nga e cila George H.W. dhe djali i tij, ishin presidentë të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG