Ndërlidhjet

Dorëheqje e presidentit të AP të KE-së për shkak të vizitës në Siri me rusët


Pedro Agramunt

Politikani spanjoll, Pedro Agramunt, sot ka paraqitur dorëheqje në postin e presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, vetëm tri ditë para votimit për shkarkimin e tij.

Kërkesa për shkarkimin e tij ishte bërë pasi Agramunt u ishte bashkuar ligjvënësve rusë gjatë vizitës së tyre në Siri dhe takimit me presidentin, Bashar al-Assad, më herët këtë vit.

“Sot, për shkaqe personale kam vendosur që të mos jem kryesues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka shkruar Agramunt në rrjetin Twitter.

Ai ka pretenduar se në Siri kishte udhëtuar privatisht si senator spanjoll dhe tha se së pari kishte shkuar me aeroplan në Moskë, para se të fluturonte nga Moska për në Damask të Sirisë.

Agramunt, që gjërësisht konsiderohet si prorus, është angazhuar për kthimin e së drejtës së votimit të delegacionit rus në asamble, pasi atij i ishte marrë e drejta e votimit në vitin 2014.

Prej atëherë Rusia i ka bojkotuar mbledhjet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe nuk e ka regjistruar delegacionin për seancën e ardhshme që fillon në janar të vitit të ardhshëm.

Pedro Agramunt mbetet anëtar i delegacionit të Spanjës në këtë asamble, ndërsa rolin e tij e merr zëvendëspresidenti aktual, Roger Gale, nga Britania.

XS
SM
MD
LG