Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Mbështetësit e Navalnyt tubohen për protesta në gjithë Rusinë


Pamje nga protesta e mbështetësve të Navalnyt në Moskë

Mbështetësit e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, sot kanë dalur në gjithë Rusinë për protesta, që konsiderohet se mund të shkaktojnë reagim të ashpër të policisë.

Tashmë tubimet janë mbajtur në disa qytete ruse, përfshirë Moskën, Vlladivosktokun, Khabarovskin, Ulan-Ude, Çita, e të tjerë.

Në Shën Petersburg, vendlindja e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, policia ka vendosur pengesa në sheshin qendror të këtij qyteti.

Protestat e sotme mbahen në ditën kur presidenti Putin e feston ditëlindjen e tij të 65-të.

Ka raporte se së paku 7 vetë janë arrestuar në qytetin Samara. Sipas raporteve, arrestime ka pasur edhe në tubimet në Izhevsk dhe Jakutsk.

Kryetari i qytetit të Jekaterinburgut, Yevgeny Roizman, është paraqitur në tubimin në qytetin e tij, ku raportohet se janë arrestuar 10 vetë.

Në Shën Petersburg, janë arrestuar Mikhail Sosin, koordinator i fushatës së Navalnyt, dhe avokati i ekipit të fushatës, Denis Mikhailov.

Janë arrestuar edhe koordinatorët e fushatës së Navanyt në Perm, Tver dhe Stvropol. Janë arrestuar edhe një numër i aktivistëve të fushatës në gjithë Rusinë.

Mbështetësit kërkojnë që Navalnyt t’i lejohet pjesëmarrrja në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë/Radio Liria në Moskë, ka raportuar se disa qindra njerëz ndodhen në Sheshin Pushkin në qendër të qytetit. Protestuesit kanë planifikuar të marshojnë kah Kremlini, por rruga e tyre ishte bllokuar nga policia, kështu që protestuesit janë detyruar të kthehen në shesh.

XS
SM
MD
LG